Sopi: Aktori në Jugosllavi paguhej sa kryeministri, sot sa pastruesit

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisori Agim Sopi, ka ardhur rishtas në këtë pozitë.

ShowBiz

09/02/2016 14:57

Ai po synon të ndryshojë gjendjen e skenës së këtij institucioni, e po ashtu edhe atë të aktorëve që luajnë në të.

Në një intervistë për Kolona.al, Sopi thotë se do të mundohet që t’ua ndreq disponimin aktorëve nëpërmjet përmirësimit të gjendjes financiare të tyre.

“Në kohën e Autonomisë rroga e një aktori në Teatër ka qenë sa rroga tash e kryeministrit. Dhe kështu është në të gjithë rajonin por edhe në Evropë. Ne tash paguhemi baras me një shërbyes civil, pastrues, shoferë. Kjo është e patolerueshme”, ka deklaruar Sopi.

Ai shton se do të bëjë përpjekje që të ndërrohet ky status, pasi sipas tij, nuk ekziston askund në botë. Sopi deklaron se stimulim i mirë do të ishte nëse aktorët paguhen për secilën reprizë.

“Do përpiqem ta instalojmë një sistem që të paguhet efekti i punës, ose më saktësisht të paguhet koha shtesë e angazhimeve në shfaqje. Të paguhen aktorët në secilën shfaqje për secilën reprizë që do ta japin. Ky do të jetë edhe një stimulim dhe shpresoj se do ta krijojmë një parakusht që aktorët të jetojnë dinjitetshëm nga puna që e bëjnë dhe të mos jenë të detyruar të kërkojnë punë shtesë për të jetuar”, ka shtuar Sopi. /lajmi.net