Sonte premiera e filmit “Kush jam unë”

Sonte në orën 19:30, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, do të shfaqet premiera e filmit dokumentar “Kush jam unë” me regji të Selmon Behës dhe Jeton Rushitit.

ShowBiz

27/05/2015 10:36

Filmi përfshinë rrëfime të kosovarëve të rinj dhe sfidat e tyre në kërkim të identitetit, përtej identiteteve të konstruktuara shoqërore.

Filmi është ndërtuar përmes personaliteteve të ndryshme shoqërore dhe politike dhe elaboron përpjekjet e tyre drejt një të ardhme të begatë, duke ruajtur sensin e humorit dhe optimizmin e madh.

I xhiruar përgjatë dy viteve, filmi sjellë rrëfimet e artistit kosovar Petrit Halilaj, muzicientit Bajram “Kafu” Kinolli, zëvendësministrit të Punëve të Jashtme Petrit Selimi, Dijana Simijonoviq nga Gracanica, Rajmonda Sylbije nga komunitetet LGBT, këngëtarja Argjentina Ramosaj dhe të pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë kosovare.

Shfaqja e këtij dokumentari i paraprinë Konferencës Ndërkombëtarë Ndërfetare që mbahet për të katërtën herë në Kosovë dhe mbledhë përfaqësues të komuniteteve fetare nga Kosova dhe vende të tjera të botës.

Kjo konferencë organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar. /lajmi.net/