Sonte eklips i plotë i Hënës dhe “super-hënë”

Një eklips i plotë i Hënës bashkë me “super-hënë” pritet të ndodhë sonte ose mëngjesin e hershëm të së hënës, varësisht nga ajo se në cilin vend të planetit gjendeni.

Fun

27/09/2015 10:12

“Ky është një kombinim çfarë nuk është parë që nga viti 1982 dhe s’do të përsëritet deri në vitin 2033”, njoftoi agjencia kozmike amerikane NASA.

“Super-hëna” ndodh kur Hëna e plotë, ose Hëna e re, gjenden në pikën më të afërt me tokën. Megjithëse sërish bëhet fjalë për një largësi prej 350 mijë kilometra, Hëna do të duket më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht.

Eklipsi i plotë i Hënës do të zgjasë më shumë se një orë dhe do të jetë i dukshëm, nëse lejojnë kushtet meteorologjike nga Amerika Veriore dhe Jugore, Evropa, Afrika dhe Azia perëndimore.

Në Evropë, Hëna, Toka dhe Dielli do të rreshtohen njëri pas tjetrit në një vijë përsosmërisht të drejtë diku para muzgut të së hënës, nga ora 04:11 deri në 05:32 sipas orës së Evropës Qendrore.