Sondazhet në Shqipëri nxjerrin fitues PS me 69-73 deputetë

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin më 6 qershor 2017, Partia Socialiste do merrte 69 deri 73 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, raporton Shqiptarja.

Lajme

07/06/2017 14:05

Këto janë gjetjet e sondazhit të institutit italian “Piepoli”, i cili u prezantua në Report Tv sot për dy orë me radhë. Nga një kampion prej 800 të intervistuarish, PS fiton zgjedhjet parlamentare dhe siguron 69 deri në 73 mandate, sipas marzhit të gabimit, ose 48-52% të votave.

​PD do merrte 28-32% të votave ose 41-45 mandate në Kuvend. Lëvizja Socialiste për Integrim, në rang kombëtar sipas sondazhit ruan të njëjtat shifra si në 2013-ën me 9-13% të votave ose 14-18 deputetë në Kuvend.

Sipas projeksioneve të sondazhit, mandate parashikohet të marrin edhe parti të vogla si LIBRA, SFIDA, FRD dhe PDIU nga 2-4 mandate.

Të dhënat e sondazhit u prezantuan nga presidenti i Institutit “Piepoli”, Roberto Baldassari. Sondazhet në Report Tv do jenë të përjavshme deri në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Gjetjet e institutit italian “Piepoli” nëse zgjedhjet do zhvilloheshin më 6 qershor.