Sodë buke dhe vaj kokosi për një fytyrë më të pastër dhe më të butë

Larja e fytyrës është një aktivitet i nevojshëm për secilin nga ne, por që të fal edhe kënaqësinë e vet.

Lifestyle

18/02/2018 12:18

Jo rrallëherë mund ta kemi pyetur veten se çfarë përmbajnë sapunët, apo produktet e tjerë kozmetikë që pas çdo larjeje na e lënë fytyrën shumë të pastër dhe të butë. Ndërkohë çmimet e tyre variojnë që nga më të lirët, ata që i gjejmë lehtësisht nëpër dyqane, e deri tek më të shtrenjtët që janë produkt i firmave më të njohura të huaja. Produktet e lira thjesht e pastrojnë fytyrën tuaj, kurse të shtrenjtët mundet edhe të ndihmojnë në heqjen e akneve, makeup-it, si dhe të dhurojnë “një fytyrë të re”. Por sidoqoftë, në shumicën e këtyre produkteve as që shënohen të gjithë përbërësit. Mendohet se ato përmbajnë shumë kimikate që mund ta dëmtojnë seriozisht shëndetin.

Ndërkohë, ne ju sugjerojmë një larje të fytyrës me produkte natyrale që nuk kushtojnë shumë, por edhe të japin kënaqësi kur i përgatisni si një përzierje, psh. në ditët tuaja pushim. Receta e produktit përmban vaj kokosi dhe sodë buke.

Përfitimet nga soda e bukës

Soda e bukës, ose bikarbonati i natriumit, përdoret për gatim, por kohët e fundit ka nisur të përdoret edhe për qëllime kozmetike, si zbardhja e dhëmbëve, përgatitja e deodorantëve, si dhe pastrimi i fytyrës. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë, është se soda e bukës mund të përdoret edhe për trajtimin e akneve. Soda e bukës ka veti pastruese dhe zbutëse për fytyrën, si dhe lehtëson dhimbjet gjatë djegieve të lëkurës nga dielli.

Përfitimet nga vaji i kokosit

Vaji i kokosit ka veti shëruese, hidratuese , antibakteriale dhe zbutëse për lëkurën. Ky përbërës është më i butë se soda e bukës, duke realizuar kështu një balancë me “ashpërsinë” e sodës së bukës. Edhe vaji i kokosit ndihmon në shkatërrimin e bakterit që çon në krijimin e akneve. Disa studime kanë treguar edhe rëndësinë e tij në mjekimin e ekzemës, apo psoriazis që janë sëmundje të lëkurës. Kur të blini vajin e kokosit, sigurohuni që të jetë i virgjër, sepse ashtu ai është më i pasur me antioksidantë.

Përbërësit e recetës : gjysmë filxhan kafeje me vaj kokosi, gjysmë filxhan kafeje me sodë buke.

Përgatitja : Përzieni të dy përbërësit dhe shtojini pak ujë të vakët, nëse është e nevojshme. Përzierja duhet të jetë afërsisht në trajtën e rërës. Përzierjen vendoseni në një tas të cekët, në mënyrë që të keni lehtësi në përdorimin e tij. Aplikojeni përmbajtjen në fytyrë dhe masazhojeni fytyrën me lëvizje rrethore. Shpëlajeni fytyrën dhe ndjeni diferencën në lëkurën tuaj që tashmë është më e butë dhe e hidratuar.