Socialistët dhe demokratët në opozitë

Pa dyshim, jemi në një epokë të re, të pazakontë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe të paprovuar gjëkund më parë.

Opinion

11/10/2013 13:59

Në dyert e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim janë shtuar militantët e Partisë Socialiste që trokasin për të kërkuar punë. Dera e partisë për të cilën ata ëndërruan 8 vjet për ta parë në pushtet nuk është plotësisht e hapur. Kjo derë mbyllet akoma më shumë kur edhe drejtorët e sapoemëruar në nivele të para apo të dyta, pothuajse nuk kanë fare lidhje me Partinë Socialiste.

Ata i përkasin o stafit të vjetër të Bashkisë së Ramës, o Mjaft-it, o G99-s, o vajzukeve të panjohura, që u kanë mbushur mendjen se do të bëjnë histori dhe që për shenjë horoskopi nuk kanë as Ujorin, as Shigjetarin, por thjesht emrin Edi Rama. Si rrallëherë në historinë e tranzicionit shqiptar, dhe deputetët apo të ashtuquajturit “senatorë të Partisë Socialiste”, shumica e të cilëve kryesuan fitoren e Partisë Socialiste nëpër rrethe, ngjajnë më shumë se kurrë me murgjit që bëjnë shëtitje të vetmuara, duke mos pasur asnjë qasje sado të vogël në këtë administratë të re, kryetari i së cilës, ende dhe sot e kësaj dite, nuk e formulon dot kriterin mbi të cilin është bazuar për zgjedhjen e këtyre ministrave dhe të kësaj administrate.

Pa dyshim, jemi në një epokë të re, të pazakontë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe të paprovuar gjëkund më parë. Në pushtet, për herë të parë duket se nuk ka ardhur një parti e mirëfilltë politike, por një organizatë e madhe, që ka brenda ish-stafin e Bashkisë së Tiranës, Mjaft-in dhe G99-n, që bashkë i lidh vetëm njohja personale me Kryeministrin Rama dhe përdorimi që i bënë të gjithë së bashku logos së Partisë Socialiste për të ardhur në këtë ditë. E vetmja forcë që mban ende me këmbë në tokë pemën e politikës, është Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndaj nuk është çudi që socialistët e thjeshtë, të cilët e kuptuan se partia e tyre u përdor si kurriz për të vënë këmbën e për të hipur në varkë Mjaft-i dhe G99-a, ta gjejnë veten më pranë së kuqes së LSI-së, sesa manushaqes së Partisë Socialiste, që si ngjyrë më shumë përfaqëson kompaninë telefonike “PLUS”. Për ta, formatin e liderit tradicional të majtë e plotëson më shumë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili e përzgjodhi pjesën e vet të kabinetit dhe të administratës qeverisëse bazuar në kriterin politik, sesa Edi Ramës, që shfaqi hapur dashurinë për ish-stafin e Bashkisë së vet, për Mjaft-in dhe për G99-n.

Duke mbetur pothuajse jashtë përfaqësimit në pushtetin e ri, me një kryetar që nuk mori pothuaj fare miell nga ta për të bërë byrekun e administratës së re, socialistët, në mënyrë të heshtur, po kërkojnë një lider të ri. Ata nuk mund t’i kënaqë më njeri me parullën “mjafton që ua hoqëm Berishën”. Dhe ata, ashtu si të gjithë shqiptarët, po e kuptojnë se kanë hyrë në një epokë të re, të paprovuar më parë, kur “de jure” janë në pushtet, por “de fakto” janë në opozitë. Dhe kjo kontradiktë e dhimbshme nuk ka si të mos pjellë minisituata të reja. Kapaku i tenxheres në zjarr, vështirë të rri pa rënë.

Por, hallet e socialistëve nuk janë hallet e të gjithë shqiptarëve.

Si në çdo fillim epoke të re, ka nga ata që gjejnë edhe entuziazëm, duke u bazuar kryesisht në argumentin se, në këtë mënyrë si është ndërtuar ky kabinet dhe kjo administratë, do t’i ndërpritet rruga futjes së pamerituar të militantëve në punë dhe se në këtë mënyrë ndërpriten shumë fenomene të tilla të ngjashme shqiptare që, në fakt, e kanë zgjatur tranzicionin shqiptar ende më shumë. Por, ky entuziazëm zbehet pa ndriçuar ende mirë kur Kryeministri aktual akoma nuk jep dot një shpjegim bindës se përse nuk përfshiu në kabinet, për shembull, Pandeli Majkon apo Ben Blushin dhe kur, nga ana tjetër, nuk është në gjendje të formulojë kriterin me të cilin zgjodhi ministrat në kabinet apo shumicën e drejtorëve e të drejtoreshave, të gjithë pothuaj pa konkurs, duke u justifikuar në mënyrë jo bindëse me të ashtuquajturën gjendje emergjence.

Dikush me të drejtë mund të thotë: fundja, shqiptarët duan përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe nuk kanë hallin e militantëve të njërës apo të tjetrës palë. Por a mund të kesh garanci te kjo epokë e re, te ky lidership i ri, të cilit nuk ia konfigurojmë dot fizionominë, nuk ia gjejmë dot fillin filozofik, nuk ia lexojmë dot parimet e kriteret e përzgjedhjes, nuk ia shohim dot as themelet, as piketat, pasi dhe vetë arkitekti i kësaj epoke nuk e formulon dot filozofinë me të cilën kërkon ta ndërtojë këtë epokë, që nuk vjen erë europiane e as turke a kineze.

Ajo që dimë për këtë epokë të re, është se kapacitetet e rritura në vite të Partisë Socialiste janë vënë pak ose aspak në punë. Se karriera politike ndër vite nuk ka më asnjë vlerë, se karriera administrative gjithashtu është hedhur në kosh: se “barkderrat”, qofshin të aftë, qofshin të paaftë, kanë dalë minoritet i diskriminuar. Se më mirë se socialiste, ia vlen të jesh beqare. Jemi në një moment kur seriozitetin nga Estrada e ndan vetëm një fill i hollë. Zoti qoftë me shqiptarët, se socialistët janë si Meta, i zgjidhin vetë punët e veta.