S’na duhet tregu i përbashkët, kemi halle tjera – Lajmi.net
S’na duhet tregu i përbashkët, kemi halle tjera
Autori: Nezir Kraki LajmeOp-EdOpinionPolitikëRajoni 21:32, 18 March 2017
Për momentin Kosovës as Ballkanit s'i duhet tregu i përbashkët. S'mund të ketë heqje të barrierave ekonomike e doganore sa për sy e faqe në një rajon ku e vetmja gjë e përbashkët edhe ne vitin 2017 mbetet urrejtja me apetite luftarake dhe hegjemoniste. Është sikur të kërkohet një treg i përbashkët në mes Iranit, Izraelit, Sirisë, Palestinës dhe Libanit (me disa nuanca, kuptohet).

S’mund të ketë treg të përbashkët ne mes shteteve që s’e njohin njëri-tjetrin. Me kufij të padefinuar e të papranuar, me kërcënime lufte dhe armiqësi konstante, me sabotime dhe ingjerenca politike. BE-ja sheh ëndrra syhapur në këtë rast. Për krahasim, kur u krijua tregu i përbashkët evropian në mars 1957 (dmth 13 vite pas Luftës se Dyte), 6 vendet iniciues ishin në raporte tjera, pa pretendime territoriale, historike, apo demografike ndaj njeri-tjetrit. Ideja e tregut është e mirë por Ballkani s’është Benelux. Patëm shpresuar se do bëhej, s’u bë. Na falni!

Sa i përket Kosovës tonë të katandisur dhe të izoluar, ajo s’e ka asnjë interes të futet në këtë mesele pazarllëku. Pengesë janë, së pari, arsyeja ekonomike që disa me të drejtë e cekën. Dhe së dyti, arsyeja politike që për mua është më e rëndësishme se ajo ekonomike. Shkaku i rrethanave pikërisht politike të cilat janë të njohura si për BE-në ashtu edhe për Ballkanin, Kosova nuk bën të futet në nisma tjera rajonale dhe ndoshta as evropiane pa u sqaruar dy pika, dy super pengesat e Kosovës:

  1. Njohja e Kosovës nga BE-ja si bllok, dmth njohja nga 5 vendet e mbetura. Kjo do na bënte të barabartë me të tjerët në “luftën” integruese. Kosova ështe i vetmi vend i Ballkanit në situatë krejtësisht të disfavoshme vis-à-vis Brukselit dhe fqinjëve.
  1. Tërheqja definitive e Serbisë nga jeta socio-politike e Kosovës dhe ndërprerja e shantazheve politike. Pranimi i realitetit edhe pa e njohur zyrtarisht atë. E këtu BE-ja në vend të presionit, Beogradit i ka hapë kapituj për bisedime.

E di që këto dy pika apo kushte mund të duken maksimaliste sepse jemi mësuar të mos kërkojmë edhe kur jemi në të drejtën tonë. Personalisht, për një gjë jam i bindur: çdo hap i Kosovës në politikat rajonale apo evropiane pa u plotësuar apo sqaruar këto dy pika, veç e normalizon mosnjohjen e saj nga BE-ja dhe e konfirmon gjendjen e njëfar “konflikti të ngrirë” me të cilin askush s’do dëshirojë të merret. Kush merret me Qipron sot? Për Brukselin edhe Qipro është ‘normale’.

Mendoni pak për “flluskën” e borës që s’po shkrihet sepse u bë e akullt, për bashkështetësinë në telefoni, në transport, në rrymë, në edukim, në shëndetësi e deri në vendimmarrje politike. Krejt këto konsiderohen sot si normale nga BE-ja sepse Kosova i ka pranuar dhe vulosur. Nuk duhet ta normalizojmë anormalen. Kemi shpallë pavarësi nga Serbia, jo bashkështetësi me të.

Tregun e bëjmë ditën kur urrejtja dhe konflikti të mos jenë produktet e vetme eksportuese.

  • Autori është ligjërues i shkencave politike në Universitetin Paris Est

Fotolajm

Trudeau ndihmon një të ri me karrocë (Foto)
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Zombie Big Trouble
  • Play Bow Master
  • Play iStunt 2
  • Play Bow Master Japan