S’mendojmë për zgjedhje në Skenderaj

Adem Grabovci nuk dëshiron të flasë për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Skënderaj. Ai beson se Sami Lushtaku do të shpallet i pafajshëm dhe do të jetë në gjendje sa më shpejt t'i kthehet punës si Kryetar i Skenderajt.

Lajme

25/11/2013 06:13

Skenderaj, një bastion i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas 18 dhjetorit, nëse deri më këtë datë, Kryetari i zgjedhur më 3 nëntor me mbi 80 për qind të votave, Sami Lushtaku, nuk arrinë që ta bëjë betimin.

Sipas Ligjit, nëse Kryetari i Komunës nuk konstituohet në detyrë brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, atëherë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e obliguar ta njoftojë Presidenten e Kosovës me gjendjen në Komunën përkatëse. Pasi ta vlerësojë situatën, Presidentja mund të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në atë Komunë.

Por, cili është qëndrimi i PDK’së për këtë çështje dhe si do të veprojë ajo në rast se Sami Lushtaku s’do të jetë në gjendje që të bëjë betimin, duke e ditur se atij javën e kaluar i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci, gjatë një bisede për lajmi.net, më shumë është i prirur të besojë në pafajësinë e Lushtakut dhe kthimin e tij të shpejtë në pozitën e Kryetarit të Skenderajt.

Për këtë arsye, ai thotë se PDK as që mendon për zgjedhje të reja në këtë Komunë.

“Ne as që mendojmë se do të ketë zgjedhje, sepse besojmë ende në drejtësi. E drejtësia do ta thotë fjalën e vet sa më shpejtë që është e mundur dhe z. Lushtaku t’i krijohet mundësia që t’i  marrë përgjegjësitë dhe të ushtrojë detyrën që i është besuar nga qytetarët e  Skenderajt”.

“Absolutisht, në përputhje me rregullat dhe me ligjin, përderisa një njeri nuk është i dënuar – ai është i pafajshëm, prandaj ne i respektojmë ligjet dhe punojmë dhe veprojmë dhe marrim vendime konform ligjeve”.

“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e Sami Lushtakut dhe gjithë të tjerëve”

“Edhe kësaj radhe, me këtë proces gjyqësor, do të dëshmohet pafajësia dhe pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Sepse, ne së pari e njohim vetveten dhe e njohim luftën e drejtë të UÇK’së, besojmë në pafajësinë, dhe shpresojmë e besojmë fuqishëm se drejtësia do ta thotë fjalën e vet, po e përsëris sa më shpejtë që z.Lushtaku do t’i mundësojë që t’i  marrë përgjegjësitë dhe të ushtrojë detyrën e vet.”

Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, në të cilat Sami Lushtaku ka fituar mandatin tjetër në krye të Skënderajt, janë certifikuar më 18 nëntor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo i bie që duhet të pritet mesi i dhjetorit për ta parë nëse Lushtaku do të jetë në gjendje ta bëjë betimin si Kryetar Komune për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Nëse mbrojtja e Sami Lushtakut bën ankesë ndaj vendimit për zgjatjen e paraburgimit dhe Trupi Gjykues e pranon atë, atëherë Sami Lushtaku do të mund ta bënte betimin si Kryetar i Skënderajt dhe t’i shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.

Në të kundërtën, në një situatë kur Skenderaj do të mund të shkonte sërish në zgjedhje, a do ta ndërronte PDK Kadidatin e saj?

Adem Grabovci është insistues.

“Ne nuk kemi nevojë ta kandidojmë askënd tjetër, por ne kemi nevojë të dëshmohet drejtësia dhe pafajësia dhe Lushtaku të vazhdojë punën e vet”.

Megjithëse beson se s’do të ketë nevojë për zgjedhje të reja, Grabovci thotë megjithatë se partia e tij do të respektojë në plotni ligjet e Kosovës.

“Ligjet janë ligje, ato janë të pandryshueshme, obligative, që respektohen nga të gjithë”.

“Ne nuk kemi nevojë të komentojmë fare. Më duket se nuk është i rëndësishëm edhe komenti im në këtë rast. Por, pavarësisht kësaj, unë besoj fuqishëm në pafajësinë e Sami Lushtakut dhe gjithë të tjerëve”.

“Është gabimi më trashanik, në rastin konkret me prezantuesit e drejtësisë europiane, që po e humbin besimin dhe po e devalvojnë këtë drejtësi në të cilën ne kemi pasur besim të fuqishëm, sepse të kualifikohet një vepër si krim i luftës, duhet të ketë kërkesë dhe ato janë të përcaktuara”.

“Nuk mund të jetë krim i luftës nëse një ushtar i UÇK’së ja ka dhënë një shuplakë një njeriu të parregullt”.

“Kurrën e kurrës, përjetë të jetëve, askush s’do të mund të argumentojë se UÇK ka bërë krime, sepse këto fakte nuk ekzistojnë, sepse UÇK’ja ka bërë luftë të drejtë, ka bërë luftë çlirimtare dhe lufta e UÇK’së jo vetëm që e ka shpëtuar njerëzimin në Kosovë, por e ka shpëtuar edhe emancipimin”, thotë Grabovci për lajmi.net.