Smartphone-t që kushtojnë vetëm 7 dollarë

Në pesë vjetët e fundit, tregu i telefonave inteligjentë është bërë i ashpër dhe numri i kompanive, sidomos atyre nga Azia është rritur ndjeshëm.

Auto & Tek

17/02/2016 23:39

“Samsung” dhe “Apple” ruajnë hegjemoninë e tyre duke ofruar aparate të një cilësie të lartë, por me çmime të larta, shkruan Shekulli.

Për të rivalizuar me dy kompanitë e mëdha, disa kompani nxjerrin në treg telefona me çmime të ulëta.

Përgjithësisht janë kompani kineze ato që prodhojnë me kosto të ulët dhe shesin me çmime të ulëta, por së fundmi sfida mbërrin nga India.

“Ringin Bells”, e cila është një kompani indiane njoftoi se është duke punuar për prodhimin e telefonit inteligjent më të lirë në botë. Bëhet fjalë për projektin e quajtur “Freedom 251” dhe do të kushtojë vetëm 7.3 dollarë.

Kompania indiane thotë se do të synojë fillimisht tregun indian, ku janë 1 miliardë përdorues të telefonave inteligjentë dhe më pas do të synojë shtrirjen në vendet e tjera, kryesisht tek ato të pazhvilluara, ku një “Samsung” apo “iPhone” është tabu.

Sipas medieve vendase, pak dihet për këtë pajisje dhe sistemi që ajo do të operojë. Por nga raportimet e para thuhet se telefoni do të ketë një kapacitet prej 8 GB dhe do të jetë i pajisur me kamera parësore dhe dytësore.