Smartphone i ri që mbushet përmes tingujve të ambientit

Ky është një prototip i ri i telefonit inteligjent që mund të ushqehet edhe me tingujt e ambientit, si brohoritjet nga një fushë futbolli ose dërdëllitjet në lokal.

Auto & Tek

17/08/2014 19:53

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti Queen Mary në Londër dhe disa hulumtues tek Nokia, kanë krijuar një pajisje që mund të furnizohet me zhurmat që bëhen çdo ditë, si në trafik ose nga muzika, dhe që konvertohet në elektricitet. Ekipi do të krijojë një pajisje që mund të marrë energji nga lëvizjet dhe ta kthejë atë në elektricitet.

“Me furnizimin nga tingujt dhe dridhjet, mund të përmirësohet përdorimi i pajisjeve elektronike, duke funksionuar edhe më shumë, pa pasur nevojë për t’u lidhur me një ushqyes,” tha një anëtar i ekipit të shkencëtarëve. “Mund të jetë e dobishme gjithashtu për ambientin, nëse ne mund të përdornim një sasi të vogël të energjisë ( drita, tingujt, lëvizjet, nxehtësia) në mjedis, ne do të kemi më pak nevojë për prodhim të elektricitetit nga djegia e fosileve.”

“Mendoj që në të ardhmen mund të ushqejmë telefonat në këtë mënyrë, megjithatë kjo energji nuk do të jetë e mjaftueshme sa për të furnizuar të gjithë telefonin, apo për të hequr mënyrat e tjera të furnizimit të pajisjeve,” tha ai. “Megjithatë, mund të ndihmojë që të mos ushqejmë telefonat tonë aq shpesh.”

Nuk e dimë nëse kjo teknologji do të vijë tek industria e telefonave inteligjentë, megjithatë për një gjë jemi të sigurt, që këtë veçori mund ta përdorim të gjithë. Imagjinoni të ushqeni telefonin tuaj duke bërtitur afër tij.