Smajl Latifi: Rahovecit i duhet një kryetar që punon 24 orë në ditë

Kandidati i AAK-së për Rahovecin, Smajl Latifi, i cili para disa viteve kishte udhëhequr me këtë komunë, ka treguar se pse atij duhet t’i besohet sërish udhëheqja.

Lajme

16/10/2017 19:38

“Mendoj se në Rahovec nga viti 2013, punët kanë mbetur aty ku i kemi lënë ne. Ka pasur pak angazhime, shumë pak punë dhe shumë pak projekte të kryera”.

“Ndërkohë ka shumë angazhime në vitin e fundit”.

“Ne synojmë dhe besojmë se do të kthehemi në krye të komunës për faktin se platforma jonë është reale, mbështetet në informacione konkrete që i kemi evidentuar gjatë komunikimit dhe kontaktit direkt që kemi pasur me qytetarët. Informatat i kemi gërshetuar dhe i kemi ndërlidhur në platformën katërvjeçare”.

Ai ka treguar edhe se pse kryetari aktual i Rahovecit, Idriz Vehapi nga PDK, nuk duhet ta fitojë besimin e qytetarëve sërish.

“Idriz Vehapi nuk e ka arsyetuar mandatin dhe qytetarët kanë gjykime jo të mira për punën e tij. Rahovecit i duhet një kryetar që ka vizion, plan ambicioz dhe që punon 24 orë në shërbim dhe katër vjet rresht e jo vetëm në fund”.

Latifi në Info Lokale në Klan Kosova ka thënë se platforma zgjedhore për udhëheqjen e Rahovecit përfshin edhe përmbushjen e obligimeve, detyrimeve, qëllimeve dhe prioriteteve të përcaktuara më parë.

Ai i ka shpalosur pikat kryesore të programit të tij.

“Krijimi i kushteve më të mira për investime në ekonomi, bujqësi të zhvilluar, infrastrukturë e rregulluar, shërbime efikase shëndetësore, edukimi, shërbime të cilësisë së lartë për të gjithë qytetarët, ndërsa krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik është prioritet dhe do ta kemi përkushtim maksimal”.

“Do ta kthejmë edhe pamjen e vjetër arkitekturore, duhet të ketë investime të vazhdueshme që pjesa e vjetër e Rahovecit të marrë pamjen siç e kishte dikur”.

Latifi ka shpalosur edhe programin për bujqësinë, në veçanti për vreshtarët, për çka edhe njihet Rahoveci.

“Ka pasur subvencione për vreshtarët, nga 1.000 euro për një hektar, ashtu siç ka pasur ngritje të plantacioneve të reja. Ka pasur subvencione për perimtarët prej 300 eurosh, por nuk janë të mjaftueshme”.

“Çështja e rritjes së subvencioneve është qëllimi ynë. Do të kemi rritje nga 1.000 euro në 1.250 për vreshtarët dhe prej 300 euro në 400-500 euro për perimtarët”.

Kandidati i AAK-së për Rahovecin ka dhënë edhe premtime për bujqësinë, duke u zotuar se do ta bëjë buxhetin për sektor së paku 1 milion euro.

“Do të bëjmë përpjekje nga viti 2019, në vitin e dytë të qeverisjes, ta kemi buxhetin për bujqësinë 1 milion euro”.

“Fondi për bujqësi nga viti 2019 deri në vitin 2021 të rritet, do të nisë me 1 milion”.

Ai ka treguar se ky 1 milionë euro do të ndahet për fermerët, duke përfshirë pajisje, fara, inpute bujqësore për sera dhe të ngjashme.

Latifi ka premtuar edhe ndërtimin e një tregu modern në Rahovec.

“Do të ndërtojmë një treg modern për pemë dhe perime, do të përpiqemi ta aktivizojmë tregun e madh modern në Xërxë dhe do të bëjmë më funksional edhe tregun në Krushë të Madhe”.

“Ne kemi një treg në Rahovec, por ai nuk i plotëson kushtet, as parakushtet madje për të qenë një ambient i përshtatshëm as për blerësit, as për shitësit, as për prodhuesit e as për fermerët”.