Sllovakia ofron bursa për studentët kosovarë

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush, me të cilin kanë biseduar rreth zhvillimeve të arsimit në Kosovë.

Lajme

19/03/2014 16:00

Studentët  kosovarë do të kenë mundësi që të përfitojnë  bursa për studime në Republikën e Sllovakisë. Kjo pasi shefi i  Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush pas një takimi zv.ministri Mustafa, ka bërë të ditur se Sllovakia do të ndajë bursa për studentët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë në Republikën e Sllovakisë, thuhet në një njoftim nga MASHT.

Zv.ministri Mustafa e ka vlerësuar këtë si një lajm të mirë për Kosovën, ndërsa e njoftoi mysafirin se tashmë Kosova,  ka studentë pothuaj në të gjitha shtetet evropiane dhe se këta studentë kanë treguar rezultate të mira kudo që kanë shkuar për studime.

Është hera e parë që studentët nga Kosova përkrahen financiarisht për të studiuar në Sllovaki nga Qeveria e këtij shteti, ndërsa ata do të aplikojnë drejtpërdrejt në universitetet sllovake.

Zv.ministri  Mustafa theksoi se MASHT do të njoftojë me kohë të rinjtë kosovarë për këtë mundësi të studimit.