Sllovakia nuk do të pranojë më refugjatë myslimanë

Si reagim ndaj sulmeve seksuale në Këln dhe në Hamburg, kryeministri sllovak, Robert Fico deklaroi se në të ardhmen nuk do të pranojë më refugjatë myslimanë në vend. Tone të ngjashme vijnë edhe nga Polonia dhe Çekia.

Bota

08/01/2016 14:45

“Ne nuk duam që edhe në Sllovaki të ndodhë diçka e ngjashme me atë në Gjermani”, deklaroi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico. Si reagim ndaj sulmeve në Këln dhe në Hamburg ai shpalli që Sllovakia do të vazhdojë luftën kundër zbatimit të kuotave të detyrueshme të BE për të pranuar refugjatët. Njëkohësisht Sllovakia do të ndalojë që në vend të krijohet një komunitet i mbyllur mysliman. Që tani, Sllovakia thuajse nuk pranon refugjatë.

Edhe nga Varshava erdhën tone të mprehta. Zëvendëskryeministri i Polonisë, Piotr Glinski i shfrytëzoi sulmet seksuale kundër grave në qytetet gjermane natën e ndërrimit të viteve, për të shqiptuar një paralajmërim të përgjithshëm për t’u ruajtur nga migrantët. Polonia do t’i vështrojë me lupë refugjatët që do të pranojë, i tha ai të enjten televizionit polak “TVN 24”. “Ne duam të ndihmojmë refugjatët e luftës, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Asnjë shkak nuk shikojmë që në mes tyre të ndodhen në Poloni edhe të rinj, heronjtë e ngjarjeve në Këln.”

Ngjashëm u shpreh edhe kryeministrja nacionalkonservatore Beata Szydlo. “Ajo që po ndodh tani në Gjermani tregon se problemet janë më serioze se sa besojnë për fat të keq në mënyrë të shkujdesur udhëheqësit evropianë”, tha Szydlo.

Që para disa ditash, Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ushqeu me deklaratat e tij frikën ndaj refugjatëve myslimanë. Në një intervistë në radio, Zemani 71 vjeçar bëri përgjegjës për lëvizjen e refugjatëve në Evropë vëllezërit myslimanë islamikë. Kjo organizatë nuk ka fuqi të zhvillojë një luftë kundër Evropës, argumentoi Zemani. Prandaj ajo zgjedh metoda të tjera si një valë refugjatësh, për “ta sunduar hap pas hapi Evropën”.

Një lloj tjetër kufizimi i lëvizjes së refugjatëve ishte temë e vizitës në Hungari të kryeministrit britanik David Cameron. Atje ai kërkoi mbështetje për shkurtimin e shërbimeve sociale për të huajt, temë e debatueshme në Evropën Qendrore. Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se Hungaria është plotësisht dakord me përmbajtjen e tri kërkesave të para të paketës së Cameronit. Këto kërkesa parashikojnë para së gjithash një zbutje të detyrimeve të shteteve anëtare ndaj BE.

Shkurtimi i shërbimeve sociale për të huajt e BE mund të mendohet, tha Orban. Por kjo nuk duhet të çojë në diskriminimin e punëmarrësve hungarezë në Britaninë e Madhe.

Kryeministri britanik parashikon që më e vonta në vitin 2017 t’i lejojë të votojnë qytetarët e vendit të tij, nëse Mbretëria e Bashkuar do të mbetet pjesë e BE.

Kërkesat e gjera të Cameronit për shërbimet sociale ndeshin në rezerva në BE dhe në qeverinë gjermane. Megjithatë, Kancelarja Angela Merkel tregoi njëfarë mirëkuptimi. Synimi i parimit të lëvizjes së lirë në BE nuk është që “kudo në Evropë të marrësh të njëjtat shërbime sociale që ditën e parë”, tha Merkeli. Kur bëhet fjalë për marrjen e shërbimeve sociale, të cilat nuk bazohen në punë, “atëherë unë jam e mendimit që është e përfytyrueshme që të rikthehesh në atdhe.”

Ministrja gjermane e Punës, Andrea Nahles dhe zëvendëskryetari i SPD, Olaf Scholz janë shprehur gjithashtu për një farë kufizimi të shërbimeve sociale për të huajt e BE, për të mos ofruar shkaqe “për lëvizje migratore”.