Skuadrat me më së shumti penallti në Serie A

Milan është skuadra që ka përfituar më së shumti penallti në Serie A, në gjashtë sezonet e fundit. Rossonerëve po ashtu u janë akorduar më së paku penallti kundër tyre.

Sport

09/10/2014 10:33

Ditët e fundit kanë qenë mjaft të tensionuara në Itali ku Juventus dhe Roma kanë vazhduar përplasjen mes tyre edhe pas përfundimit të duelit në Torino, të dielën.

Giallorossët kurrsesi nuk pajtohen me dy penalltitë e akorduara në favor të Bianconerëve në humbjen 3:2, por edhe nikoqiri u ankua se edhe njëmbëdhjetëmetërshi i mysafirëve nuk ishte vendim i drejtë.

Dhe pa dashur të hyjmë në analizë, ju sjellim statistika dhe bilancin e penalltive nga gjashtë stinorët e fundit.

E në krye të renditjes nuk janë as Juventus e as Roma por Milan. Rossonerët kanë fituar 52 penallti në gjashtë edicionet e fundit në Serie A, kurse për Romën një më pak 51.

Pastaj vijnë Inter me 38, kurse Juventusit i janë akorduar vetëm 26 penallti, dy herë më pak se Milanit. Ndërsa, sa u përket penalltive kundër Roma ka më së tepërmi – nga skuadrat e mëdha – me 29, pastaj vjen Inter me 27, Juventus me 25 dhe Milan me 18.