Skivi ‘bombardon’ me hite

Baba Stars do ta dominojnë ‘botën’ e repit në vitin 2014. Për këtë është i bindur reperi i këtij labeli, Visar Shala, më mirë i njohur me nofkën Skivi. Anëtari i grupit të dikurshëm Skillz e ka dhënë një intervistë për Lajmi.net, duke folur për projektet e fundit dhe për planet e së ardhmes. Në…

ShowBiz

31/01/2014 12:05

Baba Stars do ta dominojnë ‘botën’ e repit në vitin 2014. Për këtë është i bindur reperi i këtij labeli, Visar Shala, më mirë i njohur me nofkën Skivi.

Anëtari i grupit të dikurshëm Skillz e ka dhënë një intervistë për Lajmi.net, duke folur për projektet e fundit dhe për planet e së ardhmes.

Në fakt, labeli i njohur kosovar i repit i ka bërë gati ‘bombat’ që do t’i lëshojë një nga një gjatë këtij viti. I pari prej tyre do të jetë vazhdimi i super hitit ‘High’.

“Për momentin, ne si label Baba Stars jemi duke e lansuar një projekt të madh. Është një këngë shumë e mirë, një këngë shumë e veçantë, që në të njëjtën kohë ka qenë e veçantë, sepse titulli është pak a shumë i njëjtë, vetëm se ndërron prej një në dy. Do të thotë, do ta lansojmë sivjet High 2. Është vazhdimësi e High 1, por që tematika është krejt ndryshe”, deklaroi ai.

Duke u kthyer në 2013’shin, vitin që shkoi ai e konsideron si vit të sfidave, të cilat ia doli t’i kalojë me sukses. Ndërkaq, në vitin 2014 premton shumë projekte dhe bashkëpunime, duke shpresuar dhe besuar se puna që do ta bëjë, do t’i shpaguhet.

“Personalisht, viti 2014 është viti i punës. Jemi duke përgatitur shumë projekte. Projektin e parë që e kam, pritet të dalë brenda një jave e gjysmë maksimum, është projekti në bashkëpunim me Mimoza Shkodrën e Nora Istrefin. Ky është bashkëpunimi më i madh ndonjëherë në karrierë që e kam pas”, tregon Visari.

Krahas projekteve të reja, ai me Baba Stars marrin pjesë kohë pas kohe edhe në koncerte të ndryshme. Të bisedosh me Skivin, e pa e përmendur ish grupin Skillz, duket e pamundur.

Ai e pranon se i mungon Ledri Vula, me të cilin bënë emër së bashku në botën e muzikës. Gjithashtu, Visari nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të rikthehet në skenë grupi Skillz, duke bashkëpunuar sërish me shokun e tij, Ledri, që u tërhoq nga muzika kohë më parë.

Skivi ka sjell disa hite gjatë karrierës, por bashkëpunimin me Ronela Hajatin e konsideron ndoshta si më të suksesshmin deri tash, pasi kënga ‘Neles’ ishte bërë super hit dhe dëgjohej gjithkund.

E kur jemi te dashuria, Skivi insiston se nuk mund të qëndrojë pa të dashur në asnjë moment. Për fund, ai u premtoi fansave shumë projekte dhe i siguroi ata se nuk do t’i zhgënjejë. E ne na mbetet t’i presim projektet e reja të Skivit dhe të Baba Stars.