Skënder Çeku, gjenerali i përkushtuar i UÇK-së

Por, një ditë Skenda vendosi të marrë edhe një detyrë edhe më të rëndësishme, edhe më fisnike; për t’u kthyer në Kosovë e për të luftuar krahas djemve dhe vajzave të tjerë të UÇK-së. Tashmë dihet roli dhe kontributi i tij i pazëvendësueshëm në betejat e Loxhës. Vetë fakti se ai është gjeneral i luftës, tregon se ai ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm edhe në Loxhë, duke qenë drejtues i operacioneve dhe shembull për bashkëluftëtarët.

Opinion

17/08/2016 17:54

Shkruan: Xhavit Haliti

Skënder Çeku ka sot 18 vjetorin e rënies. Skendën e kam njohur qysh kur kam qenë i ri, pasi që ai ka qenë një djalë i njohur, punëtor i madh në ndërmarrjen ku punonte. Me të na ka lidhur veprimtaria politike që kur unë kam dalë nga Kosova, gjatë qendrimit tim si i arratisur politik në Zvicër. Në një periudhë kohore, Skenda ka bartë amortizatorë nga Kosova në Francë së bashku me Shaban Elshanin dhe Lulzim Kullashin, kështu që gjatë kontakteve të mia me Ali Çekun, më ka propozuar që ta takoj dhe të bisedoj me të rreth bartjes së armatimit për Organizatën në Kosovë.

Takimet e mia më të dhe me Lulin janë bërë në Mulhussen, në Itali dhe Zvicër, ku ne kemi mundur të ngarkojmë armatim për të futur në Kosovë. Në asnjë rast, kur organizimin e ka bërë Skenda dhe kuptohet unë si drejtues i Sektorit të Veçantë të LPK-së, nuk ka ndodhur që dikush të bie apo të dështojmë në ndonjë aksion. Më vonë është prishur ky plan, pasi që Skendën e kanë larguar nga puna.

Por përsëri kemi vazhduar kur Skenda ka filluar të punojë si vozitës i një autobusi të një agjensie turistike në linjën Zürich- Prishtinë- Pejë. Këtë autobus ne e kemi përdorur për nevoja të Organizatës në Kosovë.

Pas një aksidenti që pësoi Skenda dhe pasi kishte filluar të binte në sy të forcave policore serbe, ai u vendos në Durrës të Shqipërisë, ku ka luajtur një rol të madh për Organizatën, konkretisht në grumbullimin e armatimit për luftën çlirimtare në Kosovë, kështu që shtëpia e tij në Durrës më vonë ishte bërë një nga bazat e forta të armatimit të UÇK-së.

Dëshira dhe gatishmëria e Skendës për ta ndihmuar Kosovën, djemtë që luftonin, ishte shumë e madhe. Në një moment, më kujtohet se Skenda më tha se po e injoroja, nga fakti se dëshironte të ngarkohej me detyra edhe më të rëndësishme. Atëherë i kam thënë se nëse je i gatshëm të ngarkoj me çfarëdo detyre që do. Pas disa ditësh kemi biseduar dhe e kam ngarkuar me një bazë ushtarake që ndërtohej shumë sekret në Sylbicë. Skenda e përgatiti rrugën që të shkohej me kamion deri aty. Dhe nga ajo bazë për një kohë të gjatë janë furnizuar ushtarët e UÇK-së me armatim.

Por, një ditë Skenda vendosi të marrë edhe një detyrë edhe më të rëndësishme, edhe më fisnike; për t’u kthyer në Kosovë e për të luftuar krahas djemve dhe vajzave të tjerë të UÇK-së. Tashmë dihet roli dhe kontributi i tij i pazëvendësueshëm në betejat e Loxhës. Vetë fakti se ai është gjeneral i luftës, tregon se ai ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm edhe në Loxhë, duke qenë drejtues i operacioneve dhe shembull për bashkëluftëtarët.

Rënia e Skendës më 17 gusht 1998 ka qenë goditje e rëndë për të gjithë UÇK-në, për ushtarët dhe për ne drejtuesit e saj. Skenda ishte një trim i veçantë, i cili nuk dinte se çka është frika, nuk zmbrapsej lehtë. Ai mbi të gjitha ka qenë edhe njeri i edukuar mirë, shok i mirë me ushtarët e tij dhe të gjithë të tjerët.

Prandaj edhe sot përulem me respekt para veprës së tij të lavdishme, përulem para këtij heroi që la gjurmë të pashlyeshme historike në luftën çlirimtare të Kosovës, e cila u kurorëzua me lirinë dhe pavarësinë e saj.

Lavdi veprës së gjeneral Skënder Çekut.