Skenari i Keq i Galluccit

Zgjedhjet e 3 nëntorit në Veri nuk do të prodhojnë zgjidhje. Prishtina po përdor pengesat që ia lejon SHBA dhe BE. Beogradi para zgjidhjeve të vështira. Gerrard Gallucci jep verdiktin e tij.

Lajme

31/10/2013 10:12

Ish Administratori Rajonal i UNMIK’ut për Mitrovicën, Gerrard Gallucci ka shpjeguar se çka do të ndodhte nëse serbët e Veriut të vendit refuzojnë të dalin në zgjedhjet e së dieles.

Në një analizë të publikuar në blog’un e tij personal, Gallucci shkruan se zgjedhjet e 3 nëntorit “do të dështojnë ta zgjidhin çështjen e Kosovës” pasi që këtë po e dëshirojnë radikalët nacionalistë të të dyja palëve.

“Po fillon të bëhet e dukshme gjithnjë e më shumë se zgjedhjet e 3 nëntorit do të dështojnë ta zgjidhin çështjen e Kosovës. Nacionalistët radikalë të të dyja palëve dëshirojnë që ky proces të dështojë dhe po bëjnë tërë atë që po munden që pjesëmarrja në to të jetë e ulët”.

“Qeveria e shqiptarëve shumicë të Kosovës në Prishtinë po përdor çdo pengesë të cilën e lejojnë BE dhe SHBA’të. Simbolet “e Kosovës” në fletëvotime, përpjekjet për t’i ndalur zyrtarët serbë që të vijnë në Kosovë për t’i inkurajuar serbët që të votojnë (përfshirë kërcënimin për arrestimin e tyre), paraburgimet politike të kandidatëve serbë dhe refuzimi i të zhvendosurve serbë në listat e votuesve.”

“Në Veri, ata që pengojnë pjesëmarrjen në zgjedhje po mbajnë tubime, po heqin posterët zgjedhorë dhe po dërgojnë mesazhe në mënyrën tradicionale duke hedhur granata”.

“Ndërkohë, disa në BE duket që ende po synojnë dorëzimin e tërësishëm të Beogradit para se t’ia lejojnë Serbisë që të ecë përpara me anëtarësimin. Beogradi duket i vetmi lojtar që po punon seriozisht për t’i bërë zgjedhjet të suksesshme. Zyrtarët serbë u kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur serbëve të Kosovës që të votojnë dhe kanë paralajmëruar për pasojat e bojkotit, sidomos në veri ku kjo mund të çojë në formimin e një qeverie komunale në duar të mbështetësve të regjimit të Prishtinës”.

“Secili duket se po pajtohet që pjesëmarrja më e mundshme në Veri mund të mos kalojë përtej 15 apo 20 përqind. Çdo shifër që i afrohet 30 përqindëshit mund të konsiderohet si fitore”.

Sipas Galluccit, procesi mund të shkojë në atë mënyrë që kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut të zgjidhet Oliver Ivanovic.

“Oliveri filloi si ‘roje e urës’ por humbi mbështetjen e radikalëve në komunitetin e tij kur pranoi kompromisin me administratën e Prishtinës dhe Beogradin… Ndoshta për shkak se fitorja e tij do t’i zhgënjente nacionalistët e të dyja anëve, ai dhe familja e tij u bënë cak i një sulmi fizik”.

“Por çka nëse pjesëmarrja është e ulët për t’u konsideruar si legjitime apo zgjidhen ata që nuk përfaqësojnë shumicën serbe në katër komunat e veriut? Prishtina do të impononte vendosjen e këtyre “të zgjedhurve”. Beogradi do të përballej me zgjedhjen nëse do ta pranojë këtë rezultat ose ta thyejë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Kjo do të nënkuptonte zgjidhjen ndërmjet asaj që perceptohet si dorëzim i serbëve të Veriut të Kosovës te shqiptarët ose humbjes së mundësisë për të avancuar drejt BE’së në një kohë të shkurtër. Secili rezultat do të çonte në forcimin e linjave dhe rritjen e gjasave për konflikt”.

“Prishja e marrëveshjes me Prishtinën nga ana e Beogradit do t’i kënaqte nacionalistët nga të dyja palët pasi kjo do të çonte në rezistencë nga serbët dhe në kërkesa të Prishtinës për t’i vendosur gjërat përmes përdorimit të forcës”.

“Pranimi nga ana e Beogradit i një rezultati që shihet si jolegjitim nga shumica në Veri do t’i ngriste tensionet edhe më shumë duke çuar veriorët të marrin në konsideratë masat ekstreme (luftë apo largim). OKB, NATO dhe BE do të vendoseshin prapë në karrigen e nxehtë në secilin rast”, shkruan Gallucci.