Skenarët me të cilët përballet Katalonia

Qeveria katalane njoftoi se 90% e atyre që morën pjesë dje në referendumin e paautorizuar prej Madridit, zgjodhën të votojnë PO për vetëvendosjen e Katalonjës. Sipas zëdhënësit të ekzekutivit rajonal, Jordi Turull, 2.26 milionë njerëz, nga mbi 5.3 milionë votues, morën pjesë në referendum dhe 2.02 milionë prej tyre (90%), iu përgjigjën PO, pyetjes: “A doni që Katalonja të bëhet një shtet i pavarur në formën e një republike?”; 176,000 votuan “JO”.

Bota

12/10/2017 21:09

 

Presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont tha se Katalonja fitoi të drejtën për pavarësi nga Spanja pasi “miliona” njerëz shkuan të votojnë. “Me këtë ditë të shpresës dhe vuajtjes, qytetarët e Katalonjës kanë fituar të drejtën për një shtet të pavarur”, tha ai në televizion. Ditën e martën, katër sindikata të përgjithshme me sigla të ndryshme, kanë shpallur një grevë të përgjithshme në Katalonjë, “kundër represionit dhe pro lirive”. Presidenti katalanas i ka bërë thirrje BE-së të mos “kthejë kokën në anën tjetër”, përballë dhunës së policisë spanjolle mbi votuesit, pas së cilës janë plagosur më shumë se 800 vetë. Ai që kthen kokën është Madridi, me Mariano Rajoyn, që nuk merr parasysh votimin katalanas, duke folur për “vënie në skenë”.

Lëvizjet e para kanë qenë të ngjashme: kryeministri spanjoll Mariano Rajoy thirri një takim me krerët e të gjitha partive spanjolle, për të “reflektuar mbi të ardhmen” dhe për të diskutuar kthimin në normalitet në Katalonjës. Në anën tjetër, kryetari i Generalitat catalana, Carles Puigdemont, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit ekzekutiv, me dyer të mbyllura, ndërsa kryetari i parlamentit, Carme Forcadell, thirri krerët e grupeve për të vendosur ditën dhe rendin e ditës tjetër të plenumit: “brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve zyrtare”, në rast se votohet po, thuhet në ligjin e referendumit, do të mbahet një “sesion i zakonshëm” në Kuvend për të “bërë shpalljen formale të pavarësisë, hyrjen e saj në fuqi dhe nisjen e procesit kushtetues”.

Tashmë hapen skenarë të ndryshëm politikë.

Së pari, shpallja e njëanshme e pavarësisë është qëllimi i deklaruar i “procesit”, por pa një marrëveshje me Madridin, është mënyra më pak praktike dhe ajo me grackat më të mëdha, sa i përket rendit dhe sigurisë publike.

Së dyti, zgjedhjet e parakohshme rajonale, me heqjen dorë nga shpallja e njëanshme e pavarësisë do t’u japin katalanasve një mundësi për të forcuar peshën e votës së pavarësisë, por e kundërta do të rrezikonte ndarjen mes Pdecat dhe ERC, partitë kryesore në Katalonjë, mes të cilave mund të hapej një garë me llogaritje elektorale.

Së treti, zgjedhjet e parakohshme kombëtare: Mariano Rajoy del me kocka të thyera nga kjo çështje, ka krijuar një imazh të keq jashtë vendit me përdorimin e forcës dhe nuk arriti të parandalojë referendumin. Por në mesin e partive kombëtare mbizotëron qëndrimi se nuk është koha për të votuar, as EPP, as PSOE as Podemos nuk janë të gatshëm për zgjedhje dhe të gjitha kanë dështuar në menaxhimin e çështjes katalanase.

Së katërti, diplomacia: nuk duket mundësia më realiste, në këtë moment, duke pasur parasysh distancat politike dhe dhunën në rrugë, por ekziston modeli bask si një shembull për një progres të autonomisë katalanase. Arritja e një kompromisi mes Madridit dhe Barcelonës është, megjithatë, jashtëzakonisht e vështirë në këtë kohë./Huffington Post/