Skenarët e mundshëm të përplasjes së ashpër mes SHBA’ve dhe Koresë së Veriut

Ja çfarë mund të ndodhë.

Bota

11/08/2017 23:32

“Lufta, ndërhyrja e Kinës apo zhvillimi i negociatave”. Këto janë 3 mundësitë që parashtrohen për zgjidhjen e krizës mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.

Duke parë përshkallëzimin e situatës në deklarata e luftës mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, agjencia e lajmeve AFP ka shqyrtuar disa nga skenarët e mundshëm se si mund të përfundojë kjo krizë.

Mundësia e parë, dhe ajo që përflitet së fundmi është lufta. Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrja ushtarake në Korenë e Veriut mbetet e pamundur – të paktën tani për tani.

Ely Ratner, një studente e lartë për studimet e Kinës në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë tha se gjuha e Trump ishte “e papërgjegjshme”.

“Nuk mendoj se jemi në prag të luftës bërthamore. Ka shumë pak shenja se ajo që tha presidenti pasqyron një vendim të politikës aktuale brenda Shtëpisë së Bardhë për të ndjekur luftën parandaluese”, shtoi ajo.

Megjithatë, Pentagoni ka plane të hollësishme për një konflikt të mundshëm me Korenë e Veriut dhe ka kaluar dekada duke provuar disa prej tyre me homologët e Koresë së Jugut.

Opsionet variojnë nga goditjet e kufizuara në objektivat bërthamorë në një sulm për të vrarë Kim Jong-Un ose për të detyruar një kryengritje popullore që do të çonte në ndryshimin e regjimit.

Trump është mburrur se arsenali bërthamor i SHBA është më i fuqishëm se kurrë më parë, ndërkohë që sekretari i tij i mbrojtjes James Mattis ka thënë se regjimi do të merrte fund në rast se Koreja e Veriut do të përfshihet në një konflikt të plotë. Por çdo lloj konfrontimi ushtarak kundër një vendi që ka më shumë se një milion trupa shërbyese do të barte rreziqe të mëdha.

Shtetet e Bashkuara kanë 28,500 trupa në Korenë e Jugut dhe Seuli është vetëm rreth 55 kilometra nga kufiri me veriun, përgjatë së cilës Diktatori Kim ka grumbulluar njësitë e artilerisë.

Edhe bombardimet me artileri të kufizuar dhe lëshimi i raketave ka të ngjarë të shkaktojnë viktima masive në qytetin prej 10 milionë banorësh.

Ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çdo konflikt do të përshkallëzohet shpejt, duke rrezikuar përmbysjen e ekonomisë globale.

Mattis ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për pasojat shkatërruese. Ndërsa, perspektiva e diktatorit Kim për të lëshuar një nga pajisjet e tij bërthamore vetëm e bën rezultatin më të tmerrshëm.

Joel Wit, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin SHBA-Kore në Universitetin Johns Hopkins, tha se biseda aktuale e ekzagjeron mundësinë e luftës.

“Ka shumë deklarata që shkojnë përpara dhe prapa që po rrisin tensionet, por në botën reale, në terren, veçanërisht në Korenë e Veriut, por edhe në Korenë e Jugut, jeta vazhdon”, tha ai.

Një opsion tjetër është Kina dhe presioni ekonomik.

Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara kaluan një sërë sanksionesh të ashpra kundër Penianit për shkak të programeve raketore.

Masat u aprovuan në mënyrë unanime, përfshirë Rusinë dhe Kinën, vende që më përpara kundërshtonin sanksionet ndaj pjesës veriore të Koresë.

Fati i tyre varet kryesisht nga Kina, që përbën 90 për qind të tregtisë me Korenë e Veriut, por dyshohet se nuk ka arritur të zbatojë masat e kaluara të OKB’së, edhe pas votimit në favor të tyre.

Trump ka provuar në mënyrë të përsëritur që të ushtrojë presion ndaj Kinës për të ndërmarrë një vijë më të ashpër ndaj Koresë së Veriut, por Pekini ka frikë nga një kolaps i regjimit të Kim Jong Un.

Ndërsa opsioni I fundit është rikthimi në tavolinën e negociatave. Së fundmi raportohet se Koreja e Veriut ka prodhuar një kokë me mbushje bërthamore, e cila mund të vendoset në raketa balistike, transmeton abcnews.

“Nuk ka vend për asgjë tjetër përveç se diplomacisë”, tha Jeffry Lewis, ekspert i kontrollit të armëve në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Middlebury.

“Hapësira për t’i sulmuar ata apo t’i kërkohet që të mos zhvillojnë armë nukleare është mbyllur”, shton ai.

Mes vitit 2000, bisedimet gjashtë palëshe midis Kinës, Rusisë, Japonisë, Koresë së Jugut, Koresë së Veriut dhe SHBA’së duket se bindën Penianin, në atë kohë nën sundimin e Kim Jong-Il, që të ngadalësonte zhvillimin e programit bërthamor.

Por i gjithë ky proces mori fund në 2009. Në vitet e fundit, Koreja e Veriut thotë se është e gatshme të bisedojë pa asnjë parakusht, ndërsa SHBA kërkon fillimisht që të bëhen hapa drejt denuklarizimit.

Përgjigja e vendit komunist është se nuk do të heqë dorë kurrë nga programi nuklear, derisa Uashingtoni nuk do të heqë politikën armiqësore ndaj këtij shteti.