S’kemi hequr dorë nga Kryeparlamentari

Avni Arifi, këshilltar i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë brenda Bllokut VLAN (VV-LDK-AAK-Nisma) nuk është diskutuar mundësia që LAN-i (LDK-AAK-Nisam) të heq dorë nga pozita e kryeparlamentarit.

Lajme

07/11/2014 10:58

Arifi ka thënë për Telegrafin po ashtu se është diskutabile nëse sot (e premte) do të takohen liderët e bllokut.

“Këto deklarata (të natyrës së tillë), nuk janë të vërteta, dhe janë duke u lëshuar nga ana e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)”, ka thënë Arifi.

Një ditë më parë, njëri prej liderëve të koalicionit LAN, Isa Mustafa, përmes profilit të tij në Facebook, ka lënë të kuptohet se ky koalicion ka hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit.

“Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjidhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet nacionale”, ka shkruar lideri i LDK-së, Mustafa.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se të drejtën për të nominuar kryeparlamentarin e ka partia fituese e zgjedhjeve parlamentare, në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.