Skema e grabitjes dhe e tjetërsimit të 342 hektarëve tokë në bregdet

Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim pesë të pandehur për falsifikimin e tokave me vlerë mbi 210 milionë euro, ndërsa rrëzon akuzat për Pullumb Petritajn dhe noteren. Biznesmenët që harxhuan vlera të konsiderueshme parash për blerjen e tokave të lakmuara paralajmërojnë padi të reja.

Lajme

20/08/2017 09:58

Një vit pas zbulimit të skemës së grabitjes së 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës në Vlorë, Prokuroria u ka dhënë fund hetimeve me konkluzionin se pronat me vlerë tregu mbi 210 milionë euro u përfituan mbi bazën e vendimeve gjyqësore të falsifikuara dhe më pas u shitën apo u falën tek një rreth i gjerë njerëzish.

Në kërkesën për gjykim të dorëzuar në Gjykatën e Vlorës më 21 korrik 2017, një kopje të cilës disponohet nga BIRN, Prokuroria ngarkon me përgjegjësi penale pesë persona dhe kërkon shpalljen e tyre fajtorë për veprat e “falsifikimit të dokumenteve”, “pastrimit të produkteve penale…” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Dy prokurorët e çështjes, Albert Kuliçi dhe Urim Buci argumentojnë se autorë të falsifikimeve janë ish-varrmihësi nga Vlora, Raimond Mëzi dhe avokati i tij, Enkes Hysendhima,  Lefter Gjergji, ish-arkivistja e Gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj dhe Blerina Dhrami, punonjëse e hipotekës së Vlorës.

Ndryshe nga hetimet fillestare, Prokuroria ka rrudhur numrin e personave të implikuar në kërkesën për gjykim, duke përjashtuar nga akuzat biznesmenin Pullumb Petritaj, njëherazi ish-kryetar i Partisë Republikane të Vlorës dhe noteren Belona Seraj.

Petritaj u shpall në kërkim në qershor të vitit 2016 nga Prokuroria, pasi u akuzua si pjesë e grupit që ishte përfshirë në skemën e falsifikimit të tokave në Karaburun, Zvërnec dhe Palasë.  Prokuroria e Vlorës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi statusin aktual të Petritajt apo për arsyet që çuan në rrëzimin e akuzave kundër tij dhe noteres Seraj.

Hetimi i Prokurorisë mbi njërin prej falsifikimeve më të mëdha të pronave në Shqipëri nisi në shkurt të vitit 2016, pas kallëzimit penal të njërit prej pretenduesve të tokës, Malo Bado.

74-vjeçari iu drejtua Prokurorisë pasi kishte dështuar për 1 dekadë të fitonte të drejtën e pronës në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun-tokë që sipas tij iu grabit nga “mafia e pronave të Vlorës”.

Hetimi është i ndarë  në tre episode të ndryshme dhe ndjek gjurmët e tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në gadishullin e Karaburunit, 89 hektarëve në Zvërnec dhe 33 hektarëve të tjerë në bregdetin e lakmuar të Palasës.

Tjetërsimi i secilës prej pronave, sipas hetimit të Prokurorisë u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve, firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.

Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.

Prokuroria deklaron se Raimond Mëzi u regjistrua si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve në Zvërnec, ndonëse nuk kishte aplikuar asnjëherë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive, ZVRPP. Njësoj si Mëzi, edhe Filip Gjergji u bë pronar i 33 hektarëve tokë në Palasë përmes një skeme të ngjashme.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas regjistrimit në hipotekë, pronat i janë nënshtruar ndarjes në parcela më të vogla dhe tjetërsimit përmes kontratave multimilionëshe të shitjes apo të shkëmbimit me persona të tretë përgjatë viteve 2012-2016.

Kalimi i pronësisë nga njëra dorë në tjetrën tregon se pjesa e luanit të 342 hektarëve tokë u tjetërsua përmes kontratave të shkëmbimit të pasurisë. Ndërkohë, sipërfaqe të konsiderueshme iu shitën biznesmenëve të ndryshëm për vlera të konsiderueshme parash, investime të djegura pas vendimit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës për sekuestrimin e tokave të grabitura.

Hetimi i Prokurorisë së Vlorës dhe procesi i pritshëm gjyqësor ndaj pesë të pandehurve duket se nuk do të jetë konflikti i vetëm mbi skemën e falsifikimit të 342 hektarëve tokë.

Në reagimet për BIRN, përfaqësuesit e disa bizneseve që humbën shuma të mëdha parash në blerjen e pronave paralajmëruan padi të reja ndaj personave që i mashtruan, duke e quajtur veten viktima të kësaj skeme falsifikimi.