Skanon Prishtinën

Shpend Ahmeti, pas skanimit të gjendjes, paralajmëron ndryshime të mëdha, në të gjitha fushat, në Komunën e Prishtinës. Ahmeti thotë se është gati për t’u ballafaquar me të gjitha problemet, për ta bërë të mundur ndryshimin e premtuar.

Lajme

13/01/2014 11:12

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dy javë pas marrjes së detyrës, paralajmëron ndryshime të mëdha.

Në një intervistë për lajmi.net, ai thotë se për këto dy javë ka skanuar gjendjen në komunë ku ka parë nevojën e madhe që ekziston për shumë ndryshime në Komunën e Prishtinës, duke nisur nga rishqyrtimi i kontratave për shërbime, punësimet politike, ndërtimet pa leje e deri tek ndryshimi i politikave me të cilat është qeverisur deri tash kryeqyteti.

Thotë se e pret një punë e madhe dhe me shumë sfida, për çka shprehet i gatshëm të përballet.

“U bënë dy javë të punës sonë. Ne e kemi skanuar gjendjen në komunë dhe tani do t’i kemi edhe konferencat ku do të shpjegojmë për situatën e cila është këtu dhe si mendojmë ne ta ndryshojmë, në ato pjesë ku ka nevojë për ndryshime”.

“Jemi duke i shikuar një pjesë të madhe të kontratave të cilat janë bërë për shërbime, jemi duke i rikonsideruar një numër të madh të politikave të cilat kanë qenë përpara”.

“Ka hapësirë për përmirësime. Ka gjëra që kanë funksionuar. Por, ka nevojë për shumë ndryshime në përgjithësi”.

“Tani e kemi një punë më të lehtë nga aspekti ligjor sa i përket urbanizmit, ku ka kaluar Ligji për Legalizim dhe tani çdo objekt i cili është ndërtuar para 25 gushti i vitit 2013 i nënshtrohet procesit të legalizimit, të tjerat të cilat janë ndërtuar dhe janë pa leje do të hyjnë në procedurën e evidentimit dhe rrënimit ndërsa ato tjerat të cilat do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, aty ka punë”.

“Por, tani e dimë drejtimin nga do të shkojmë”.

Në përgjithësi, Ahmeti thotë se ka shumë punë. Ai premton se do t’i realizojë të gjitha premtimet që ka bërë gjatë fushatës, një nga një, sipas prioritetit.

“Ka shumë punë edhe në administratë, në përmirësimin e shërbimeve për qytetarë”.

“Ka shumë punë me të drejtat e punëtorëve, me kontratat të cilat janë bërë për pastrim, higjienë, sigurim në objektet e ndryshme”.

“Kemi probleme me punësimet politike të cilat janë bërë deri tash nëpër shkolla. Të gjitha këto mendojmë t’i adresojmë dhe i kemi 4 vjet mandat. Do t’i marrim të gjitha prioritetet një nga një”.

“Nuk mund të themi se ka një drejtori e cila nuk ka punë. Prandaj më mirë është të mos themi se kjo është më e rëndësishme se kjo tjetra, por mund lirisht të themi se na pret shumë punë”.

“Në përgjithësi ka pasur mungesë të transparencës. Dhe tani jemi munduar dhe do ta bëjmë në mënyrë transparente, me mbikëqyrje edhe të shoqërisë civile dhe të medieve kur ka nevojë”.

“Po mundohemi që tash e tutje të mos ndodhin gjëra të tilla. E ato për të kaluarën nuk është vetëm detyrë e jona. Gjithçka që ka të bëjë me parregullsitë e mëhershme ne do t’i adresojmë tek organet kompetente”.

Shpend Ahmeti sot është takuar me përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Në këtë takim, ai thotë se u ka bërë të qartë atyre se është për bashkëpunim të ngushtë por assesi për koalicione dhe ndarje të pushtetit me to.

“Politika jonë është jo koalicioneve, po bashkëpunimit. Që do të thotë se do të ketë konsultime të vazhdueshme me të gjitha subjektet politike. Ne jemi të hapur, gjithçka që është në interesin e Prishtinës ta konsiderojmë. Por, në të njëjtën kohë presim edhe nga subjektet politike, për çdo vendim, t’i nënshtrohemi një diskutimi të vështirë, një kontrolli, gjëra këto që i kërkon demokracia”.

“Tash me çdo kusht po mundohen që në çdo komunë të prezantohet një lloj koalicioni që pastaj çdo vendim që sjell qeverisja ajo kalon sepse i kanë numrat”.

“Ne jemi të interesuar që Kuvendi Komunal ta kryejë punën e vet. Unë sot ju thash shefave të grupeve parlamentare që të diskutojnë mes veti, që të gjejnë një kryesues i cili do të ishte sa më shumë konsensual. Pastaj për çdo politikë ne do të konsultohemi, do të shohim se cila është mënyra më e mirë dhe do të jemi transparentë”.

“Vendimet që ne do t’i marrim do të jenë në të mirë të qytetarëve. Nëse dikush më kundërshton sepse nuk pajtohet dhe mendon se ka mënyrë më të mirë për ta mbrojtur interesin e qytetarëve, do ta shqyrtojmë. Për nëse dikush voton kundër vetëm pse e kam sjell unë atëherë është mirë që qytetarët dhe publiku duhet ta di këtë, se dikush po kundërshton vetëm për faktin se atë vendim e kam sjell unë”.

“Çdo gjë do të jetë transparente, ka interesim shumë më të madh për punën e Kuvendit Komunal andaj mendoj se nuk do të ketë probleme të tilla. Do të ketë shumë debat, shumë diskutime dhe mendoj se kjo do të jetë mirë”, thotë Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, për lajmi.net.