Skandaloze: Lista Serbe e quan kriminel Isa Boletinin – kundërshton rivarrimin në Boletin

Lista Serbe nuk mbështetë bartjen e mbetjeve mortoreve të heroit Isa Boletini në veri të Kosovës dhe këtë e vlerëson provokim dhe mungesë të marrjes parasysh të viktimave dhe ndjenjave të serbëve.

Lajme

08/06/2015 20:45

Lista Serbe, raporton Tanjug, sot ka theksuar nevojën për t’i bërë revizion historisë duke theksuar se po tentohet që të “krijojnë hero nga njerëzit që krimet e tyre edhe sot mbahen mend”.

“Nuk e mbështesim zhvendosjen e mbetjeve të Isa Boletinit në veri të Kosovës dhe këtë e përjetojmë si provokim”, thekson Lista Serbe, transmeton Indeksonline.

“Populli serb do të vazhdojë të shikojë nga e ardhmja dhe të njëjtën e ndërton me fqinjët shqiptar, por puna do të jetë më e vështirë, sepse në këtë mënyrë qartë është treguar se tash për tash nuk ekziston dëshira e dyanshme për pajtim dhe shmangie të ndarjeve të reja”, thotë kjo Listë, e cila në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet më nëntë deputetë, i ka dy ministri dhe një zëvendëskryeministër.

Rivarrimi i heroit të kombit, Isa Boletini në Boletin të Zveçanit do të bëhet të mërkurën e 10 qershorit, në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit.