Skandali i rrit fitimet e Facebook

Facebook vërtetoi përfundimisht se nuk ka reklamë të keqe pasi publikoi shitjet e tre muajve të parë të vitit, që janë rritur me thuasje 50% nga një vit më parë, pavarësisht skandalit të madh të të dhënave që çuan Mark Zuckerbergun të japë llogari në Kongres.

Auto & Tek

26/04/2018 16:55

Facebook tha se të ardhurat u rritën në 11,9 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit në krahasim me 8 miliardë në të njëjtën periudhë një vit më parë. Vetë Zuckerberg shfrytëzoi rastin dhe tha se, pavarësisht sfidave të rëndësishme, komuniteti dhe biznesi i Facebook-ut e kanë nisur shumë fort vitin 2018. Ai gjithashtu shtoi se kompania po rishikon me shumë kujdes përgjegjësitë e saj, transmeton Top Channel.

Facebook tha se të ardhurat nga reklamat u rritën në 11,7 miliardë dollarë tremujorin e fundit në krahasim me 7,8 miliardë në 2017. Edhe fitimet e tremujorit të parë u rritën duke arritur në 4,9 miliardë dollarë krahasuar me 3 miliardë të vitit të shkuar.

Rritja e fitimeve të Facebook-ut ndodhi pikërisht kur kompania u përfshi në një skandal kolosal të keqpërdorimit dhe vjedhjes së të dhënave të përdoruesve. Facebook pranoi se të dhënat e 87 milionë përdoruesve ishin ndarë gabimisht me firmën Cambridge Analitika dhe se kompania nuk kishte bërë asgjë për të kontrolluar apo monitoruar veprimet e saj.

Megjithatë, duket se skandali nuk ka trembur përdoruesit e Facebook-ut, pasi numri mesatar i atyre që ishin aktivë përditë në Facebook gjatë marsit u rrit me 13% (2,2 miliardë), ndërsa numri i stafit të kompanisë u rrit me 48% (27 742).