Skandali i LDK-së nuk arsyetohet, Durindza lobist i paguar nga Serbia

Mikulas Dzurinda, ish kryeministër, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Sllovakisë, nuk e ka përfaqësuar vetëm qëndrimin e vendit të tij, por ishte i angazhuar në cilësinë e lobistit nga ana e Qeverisë së Serbisë,  për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. 

Lajme

29/05/2014 12:00

Por Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon të arsyetohet dhe të mos e quaj skandaloze praninë në hapjen e fushatës zgjedhore të njërit prej kundërshtarëve më në zë kundër pavarësisë së Kosovës.

LDK-së nuk ka guxuar t’i ikë assesi qëndrimi, edhe personal, i diplomati sllovak kundër pavarësisë Kosovës, pavarësisht se thotë që Dzurinda nuk ka qenë i ftuar i saj, por ishte i dërguar i Partive Popullore Evropiane, ku LDK-ja është e anëtarësuar.

Madje nënkryetarja e LDK-së Teuta Sahatçia e ka cilësuar te rëndësishëm prezencën e ish ministrit sllovak, i njohur si kundërshtar i rrepte i pavarësisë se Kosovës.

Në emisionin, Magazina Zgjedhore në Klan Kosova, ajo e ka arsyetuar këtë fakt duke thënë se kjo është një shenje e mirë që ata të cilët kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës të vijnë ne këtë vend dhe te përkrahin një subjekt politik për te fituar në zgjedhje.

Por përvec Partisë Demokratike të Kosovës që ka kërkuar sqarim nga LDK për pjesëmarrjen e ish-ministrit sllovak në hapjen e fushatës së LDK-së, ka pasur reagime edhe nga partitë tjera dhe analistë që e kanë vlerësuar si të papranueshme dhe skandaloze atë që Sahatçiu e ka cilësuar si të rëndësishme.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardina Gjini, në profilin e tij në Facebook, ka pyetur se cfarë e ka gjetur LDK-në që e ka hapur fushatën e një prej kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës.    

“Nuk besoj se Presidenti Rugova do te pranonte qe fushatën e tij ta hapte një njeri që lobon kundër pavarësisë së vendit. Oooo LDK ,cka iu ka gjetur more?”, ka shkruar Gjini në rrjetin social Facebook.

Edhe analisti Adriatik Kelmendi, pasi ka parë ish-ministrin sllovak në hapjen e fushatës së LDK-së, është lutur që partitë politike të mos bëjnë më kisksa të rëndë politik.   

“Të lutemi që këto partitë tona politike, në ethe të zgjedhjeve, të mos bëjnë kiksa të rendë politikë, siç është promovimi i kundërshtarëve me të mëdhenj të pavarësisë dhe lobuesve me pagesë të Serbisë”, ka shkruar Kelmendi në profilin e tij në Facebook.

“Skandal që LDK-ja t\’ia lë një personaliteti si Mikulas Dzurinda, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, t\’ua hapë fushatën”.

“Personalisht, vitin e kaluar në një takim të mbyllur në kuadër të Forumit Globsec, në Bratislavë, kam pasur një polemikë të ashpër me z. Dzurinda, i cili kur mbeti pa argumente kundër pavarësisë së Kosovës, ma ktheu: ‘Unë edhe të mendoj ndryshe, nuk mund të them ndryshe, pasi që jam i angazhuar (si lobist) nga Qeveria e Serbisë’”, ka shkruar Kelmendi.  

“Ka dëshmitarë të këtij takimi, shumë prej tyre politikanë me nam evropiane!”.

Dzurinda, i njohur edhe si mik i ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, vazhdimisht ka përsëritur se Sllovakia nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, pavarësisht se shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së saj.