Skandali i Facebook, Zuckerberg përballë Kongresit të SHBA

Drejtori ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg pritet të përballet me pyetje të vështira në Kongres pas publikimeve se firma politike e lidhur me fushatën e presidentit Trump, Cambridge Analytica, ka marrë të dhënat e 87 milionë përdoruesve të faqes së medias sociale gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Bota

10/04/2018 20:50

Në qendër të debatit është qasja tek të dhënat personale të përdoruesve dhe llogarive të miqve të tyre në Facebook nga aplikacionet e palëve të treta. Faqja i dha kompanisë Cambridge Analytica informacione rreth bindjeve politike dhe fetare, ngjarjeve të ndjekura dhe postimeve të pëlqyera nga miliona përdorues të Facebook-ut.

Facebook pretendon se kjo ishte një shkelje e të dhënave “krejtësisht e gabuar”. Komisionerë të tanishëm dhe të shkuar të Komisionit Federal të Tregtisë, një agjenci për mbrojtjen e konsumatorit, e shohin atë ndryshe.

“Nëse po përpiqesh të mbash diçka private – dhe mendon se e ke caktuar atë të qëndrojë private – por të duhet të bësh edhe tre hapa të tjerë – kjo do të ishte problematike”, thotë Terrell McSweeny.

Ligjvënësit duan të dinë nëse Facebook ka shkelur një marrëveshje të vitit 2011 me Komisionin Federal të Tregtisë, ku u ka premtuar përdoruesve se aplikacionet e palëve të treta, mund të kenë qasje vetëm në informacionin e nevojshëm për të funksionuar.

“Ata padyshim nuk janë treguar të kujdesshëm ndaj zhvilluesve të aplikacioneve të palës së tretë”, thotë David Vladeck i firmës “Georgetown Law”.

Dhe ndërsa Facebook mund të përballet me gjoba të konsiderueshme nëse ka bërë shkelje, Kongresi gjithashtu do të shohë se si Facebook-u planifikon të mbrojë privatësinë e përdoruesit në të ardhmen.

“Mënyra se si ndërveprojmë me këto platforma është e paqartë – vërtet nuk mund të japësh pëlqimin në pjesën më të madhe dhe të gjithë e dinë këtë. Ju nuk i shihni qindra sy që po u shohin ndërsa shkruani diçka në Facebook.  Disa nga këto ndryshime duhet të vijnë nga ana e formatimit të faqes”, thotë Michelle De Mooy me Qendrën për Demokraci dhe Teknologji.

Ndërkohë bashkë-themeluesi i kompanisë Apple Steve Wozniak po ngreh dyshime nëse Facebook-u ka një zgjidhje të menjëhershme ndaj problemeve me privatësinë.

Wozniak e bëri komentin të hënën vonë pasi njoftoi se po e mbyll faqen e tij në Facebook.

“Facebook-u i mban gjërat e veta sekrete. Hipokrizi e madhe të mos respektojë privatësinë e përdoruesve. Kur Zuckerberg blenë të gjitha shtëpitë rreth tij dhe të gjitha tokat, shkon në Hauai për të ruajtur privatësinë e tij pasi ia di vlerën, por nuk pyet për privatësinë time”, tha Wazniak.

Marc Rotenberg – i cili ka ndihmuar formulimin e dekretit të pëlqimit – është optimist se dalja në dritë e këtij problemi do ta nxisë Kongresin të veprojë për një ligj të privatësisë për informacionin në Internet.

“Facebook-u do t’u duhet t’u japë përdoruesve të drejta ligjore për grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave të tyre dhe Facebook-u gjithashtu duhet të marrë disa përgjegjësi për grumbullimin e të dhënave. Mendoj se kjo do të ishte një pikënisje e mirë për Kongresin”.

Një propozim që Zuckerbergu ka të ngjarë të përballet përsëri sot gjatë një raundi të dytë pyetjesh para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve.