S’ka rivotim në Mitrovicë

PZAP e ka konstatuar si të pabazë ankesën e PDK`së. Në vendimin e këtij organi thuhet se AKR asnjëherë nuk ka bërë presion votuesve për blerje vote. Sipas tyre qytetarët e Mitrovicës kanë qenë të lirë për ta shprehur vullnetin e tyre.

Lajme

04/12/2013 16:40

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa i ka dhënë fund dilemës, sa i përket fituesit të Komunës së Mitrovicës.

Ky panel e ka konstatuar si të pabazë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës që Mitrovica të shkoj në rivotim pas që sipas tyre, janë vërejtur keqpërdorime nga ana e kandidatit të AKR`së Agim Bahtiri.

Në një vendim të lëshuar nga organi PZAP`së konstatohet se pretendimet ankimore të bëra nga PDK`ja nuk janë arritur të vërtetohen.

“Pretendimet ankimore nga ana e PDK`së në Komunën e Mitrovicës ka pasur parregullsi, PZAP`i konstaton se ankesa në fjalë është e pabazuar nga shkaku se nga veprimet e ndërmarra dhe provat e administruara, në drejtim të vërtetësisë së shkeljes së pretenduar, si dhe audio incizimi i paraqitur si provë nga pala ankuese nuk mund të vërtetohet autenticiteti i sajë,përkatësisht nuk mund të vërtetohet identiteti i atyre personave të përfshirë në këtë audio incizim”.

“PZAP`i konstaton se me këtë rast nuk është arritur të vërtetohen pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë”.

“Andaj, në kuptim të nenit 118 paragrafi 1 të LZP`së, lidhur me ankesën e lart përmendur u vendos si në disopzitiv të këtij vendimi”.

“PZAP`i, më datë 03.12.2013 e informoi subjektin politik AKR dhe LDK në kuptim të nenit 4 paragrafi 3 të Rregullave dhe Procedurave të PZAP`it, për ankesën që është bërë ndaj këtij subjekti politik dhe ka kërkuar që të përgjigjet ndaj ankesës deri më datë 04.122013, në ora 10:00”.

“Sipas afatit të caktuar PZAP`I, pranoi përgjigjen e kërkuar nga subjekti politik AKR në të cilën deklaron se ankesa në fjalë është e pabazuar dhe e pa argumentuar nga fakti se subjekti politik AKR në asnjë rast nuk ka bërë presion dhe joshje ndaj votuesve për blerje vote por se qytetarët e Mitrovicës kanë qenë të lirë që të shprehin vullnetin e tyre për të votuar”.

Kandidati i PDK`së për komunën e Mitrovicës Avni Kastrati kishte refuzuar që të pranoj rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit pasi që sipas tij, kundër kandidati Agim Bahtiri kishte manipuluar me votën e qytetarëve të Mitrovicës.