S’ka qeveri të re as zgjedhje të reja

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj deklarimeve të homologut të tij në PDK, Adem Grabovci, i cili ka thënë se do të ishte një “absurd i madh" të paramendohej formimi i qeverisë së re pa pjesëmarrjen e PDK-së.

Lajme

06/08/2014 10:48

Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka këshilluar ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së që të harrojë qeverinë e gjerë dhe zgjedhjet e reja.

Ai është i mendimit se qeveria e ardhshme do të jetë ajo e LAN-it, pasi sipas tij, kjo punë është vendosur “kaherë”.

“Çka jeni lëshuar në kësi ofensive të kotë nuk po kuptoj. Harrojeni qeverinë e gjerë dhe harrojini zgjedhjet”.

“Pas vendimit të gjykatës kushtetuese formohet qeveria e re, ndërsa PDK do të jetë opozitë tejet konstruktive”.

“Një qeveri e ardhshme me PDK do të ishte absurdi më i madh i mundshëm dhe mëkati më i madh që do të bëhej kundër vendit”.

Gjini u është drejtuar edhe disa analistëve që po merren me këtë punë duke i këshilluar edhe ata që të mos shkaktojnë konfuzion në popull, me analizat e tyre, të cilat ai i ka quajtur “budallallëqe”.

“Kështu që nuk po mund të mos e përcjell këtë porosi për disa të ashtuquajtur analistë”.

“Lërini këto budallallëqe e mos humbni kohë me analiza plotësisht të kota dhe të gabuara për një çështje që është zgjidhur kaherë. Nuk do të ketë qeveri tjetër përpos LDK-AAK-Nisma”.

“Nuk po kuptoj mesa mend po e pranoni misionin për të shkaktuar konfuzion në popull në këtë kohë?Kosova do të varet nga populli i vet dhe nga qeveria e vet e re. Kosova nuk varet nga asnjë parti apo listë e veçantë cilado qoftë ajo, aq sa nuk varet nga PDK”.

“Mediat po i kuptoj, kanë mbetur pa lajme këto ditë dhe po duhet me iu marrë nga dy minuta gjithfarë analistëve për me e mbush kohën”, ka shkruar Gjini në frofilin e tij në Facebook, duke mos harruar që këtë fjali ta shoqërojë edhe me shenjën e buzëqeshjes.