S’ka presion të Qeverisë në Doganë

Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se kriza politike nuk ishte paraparë, porse sipas tij ka pasur rritje prej 4 për qind në krahasim me vitin e kaluar, dhe 6 për qind më pak të mallit që ka qarkulluar.

Lajme

17/11/2014 08:22

Në intervistën dhënë për Epoka e Re, Rafuna thotë se ka shumë indikacione që tregojnë se ka pasur rënie të kontrabandës në veri të vendit.

“Në pjesën veriore zakonisht tentohet të kontrabandohen mallra, të cilat kanë akcizë, sic janë vajrat, alkooli dhe cigaret. Mirëpo, falë bashkëpunimit dhe koordinimit që kemi me Policinë e Kosovës dhe Administratën Tatimore, kemi arritur t’i ndalim shumë raste dhe t’i mbyllim shumë vrima kontrabanduese. Kemi indikacione shumë të mira që tregojnë se ka rënë kontrabanda në veri”.

Drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna, ka mohuar se Qeveria po i bënë presion Doganës. Ai thotë se të gjitha kompetencat janë të rregulluara në bazë ligjore dhe se nuk ka presion mbi bizneset.

“Nuk ka asnjë presion nga ana e Qeverisë. Ne jemi organ ekzekutiv profesional. Fatkeqësisht, nga disa importues të cilët me vite u janë shmangur procedurave doganore dhe tatimeve, ndërmjet përfaqësuesve të tyre, tani dëshirojnë të proklamojnë që është një lloj presioni. Nuk është presion në qoftë se dikush kërkon nga ju që ta respektoni ligjin. Qeveria dhe Ministria e Financave asnjëherë s’kanë thirrur në Doganë të thonë ‘bëje këtë apo atë’. Kompetencat janë të rregulluara në bazë ligjore dhe nuk ka presion mbi bizneset”, ka thënë Rafuna për “Epoka e Re”.