S’ka para, OKB ndërpret ushqimet për sirianët

Me dimrin në derë dhe me luftën që duket se nuk ka fund, sirianët e zhvendosur nga zonat e konfliktit dhe të strehuar në kampet e ngritura në vendet fqinje përgatiten për një tjetër lajm të keq. 

Bota

01/12/2014 19:25

Programi Botëror i Ushqimit, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara njoftoi ndërprerjen e ndihmave jetësore për 1.7 milionë refugjatë të luftës dhe shkak për këtë është bërë mungesa e fondeve.

Deri më tani, programi u siguronte kupona për të blerë ushqime dhe veshmbathje sirianëve të vendosur në kampe në Jordani, Liban, Turqi, Irak dhe në Egjipt. Me ndërprerjen e këtyre kuponave, shumë familje rrezikojnë të mbeten pa ushqime bazë.

Kreu ekzekutiv i programit tha se vetëm për muajin dhjetor shuma që nevojitet për të shmangur krizën financiare dhe për të ushqyer refugjatët, kryesisht gra dhe fëmijë është 64 milion dollarë.

OKB thotë se për ata që janë strehuar në kampe në Liban dhe Jordani pasojat do të jenë të tmerrshme dhe kërkon që komuniteti ndërkombëtar të reagojë sa më shpejt pasi nuk ka më kohë për të humbur.

3.2 milion sirianë janë strehuar në vendet fqinje, kryesisht Turqi, Irak, Liban, Jordani dhe Egjipt, ndërkohë që mbi 7 milion të tjerë janë të zhvendosur brenda territorit. Të dyja këto shifra përbëjnë thuajse gjysmën e popullsisë së Sirisë përpara nisjes së konfliktit, 3 vite më parë. / Top Channel