S’ka pajtim për dy pika të Rezolutës për Haradinajn

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, theksoi se nuk është arritur konsensus që të kenë një rezolutë të përbashkët në lidhje me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme

10/01/2017 21:05

Lekaj – i cili lexoi rezolutën e paraqitur nga AAK, mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma – theksoi se konsensusi nuk u arrit për dy pika.

Deputeti i pavarur, Ilir Deta, propozues i rezolutës së dytë ka theksuar se me Vjosa Osmanin kanë vendosur që ta ndihmojnë këtë diskutim të partive politike.

“Për fat të keq nuk pat gatishmëri për një qëndrim të përbashkët. Pas konsultimit me deputeten Osmani e tërheqim rezolutën e propozuar”, tha Deda, raporton KosovaPress.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së theksuan se nuk janë pajtuar për dy pikat e fundit, ndërsa i kanë dhënë mbështetjeje tri pikave të para.

Rezoluta e prezantuar nga AAK:

1. Lirimi pa kushte i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, të ndodh sa ma shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

2. Qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen direkte të Bashkimit Evropian, përmes përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, znj. Frederica Mogherini, që të përshpejtohet lirimi, nga shteti francez, i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

3. Qeveria e Kosovës obligohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se, refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

4. Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga Serbia, kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol.

5. Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë, për shkak se janë të vetmit që kanë mundur të jenë të informuar se cilët persona kanë urdhër-arreste nga Serbia në Interpol, meqë Kosova nuk është anëtare e Interpolit, nga ku do të mund të merreshin informata zyrtare për emrat që kanë fletë-arreste të tilla.