S’ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Ramush Haradinaj thotë se Kosova është në orarin e vet zgjedhor, në nëntor me zgjedhjet lokale dhe në pranverë me ato parlamentare. Sipas tij, nuk ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme

27/09/2013 22:06

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se Kosovës më së paku i duhen zgjedhje të diskutueshme.

Këto komente, ai i ka bërë në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë qëndrimit të tij në SHBA.

“Ne kemi në orar zgjedhjet. Tani shkojmë në zgjedhje komunale më 3 nëntor. Por, po ashtu, kemi të parapara edhe zgjedhjet parlamentare në pranverë. Pra, veç jemi në orarin zgjedhor. Sido që të shkojë çështja e shumicës në Parlament, ne kemi një dinamikë zgjedhore dhe nuk shoh shumë probleme në këtë aspekt.”

“Nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, sepse zgjedhjet e parakohshme nuk mund ta japin kualitetin e njëjtë si zgjedhjet e rregullta, qoftë me përgatitje, qoftë në reformë, qoftë me mbajtjen e tyre.”

“Kosova më së paku ka nevojë për zgjedhje të diskutueshme. Ne kemi një orar, që janë zgjedhjet komunale. Është me rendësi që këto zgjedhje të jenë të lira, e të mos ketë dëmtim të procesit zgjedhor.”

“Të shfrytëzojmë aq muaj sa na mbesin, të cilët nuk janë shumë, sepse 4 deri në 6 muaj janë të nevojshëm edhe për KQZ, edhe për partitë, që të përgatisin zgjedhjet. Dhe ne jemi në këtë afat kohor. Pra, zgjedhjet po vijnë. Jemi në orar zgjedhor dhe nuk ka nevojë të këtë zgjedhje të parakohshme.”

Ramush Haradinaj, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, po ashtu ka folur edhe për pozicionin e partisë së tij në opozitë.

Ai ka thënë se AAK nuk bën opozitë ndaj shtetit, por ndaj pushtetit.

“Jemi parti serioze politike, mbajmë përgjegjësi nacionale. Në të gjitha temat e interesit nacionale, ne nuk bëjmë opozitë. Ne nuk bëjmë opozitë me Kosovën, ose me shtetin. Ne bëjmë opozitë me pushtetin, për tema që janë qeverisëse, por jo për ato të interesit nacional, si rasti i dialogut, shtrirjes së juridiksionit tonë në Veri, agjendës për aftësim të Kosovës drejt BE’së.”

Duke folur mungesën kuorumit në Kuvendin e Kosovës, e cila u vu në pah në seancën për privatizimin e PTK’së, Haradinaj ka thënë se ka një zbehje të përkrahjes politike në Parlament për Qeverinë.

“Analizën për këtë duhet ta bëjnë vetë partitë që janë në pushtet, të vlerësojnë se a mund të vazhdojnë apo jo me këtë situatë të mungesës së kuorumit në Parlament.”

“Ne kemi përkrahur privatizimin dhe mbështesim këtë proces. Privatizimi është bërë në bazë të bindjes së shumicës politike që ka qeverisjen. Ajo ka vendosur, e ka nxjerr në ofertë, ka kryer të gjitha procedurat e para.”

“Si privatizim, ne e kemi përkrahur. Me kalimin e kohës, ka shumë paqartësi rreth krejt operacionit që ka ndodhur lidhur me privatizimin dhe për statusin e kontratës ose marrëdhënieve tash që ka Kosova me ofertuesin. Duke qenë se është kështu, ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi si subjekt politik opozitar, për një temë të caktuar në të cilën nuk kemi marrë pjesë.”

“Pra, nuk mund ta bëjmë kuorumin për Qeverinë, e cila duhet ta ketë shumicën e vet në Parlament.”

“Është përgjegjësi e partive që udhëheqin vendin ta kenë shumicën në Parlament për këtë temë.”