S’ka ndërprerje të punimeve në rrugën Deçan-Plavë, po ndërtohet jashtë zonës së mbrojtur

Punimet në rrugën Deçan-Plavë po vazhdojnë ashtu siç janë paraparë, megjithë vërejtjet dhe presionin e vazhdueshëm nga akterë të ndryshëm se është ndërhyrë në një zonë të mbrojtur.

Lajme

14/08/2018 09:05

Ditë më parë, shefat e misioneve të BE-së përmes një deklarate të përbashkët për media kërkuan që të respektohet zona e mbrojtur në vendin ku po zhvillohen punimet e rrugës Deçan-Plavë.

Në të thuhej se për çdo projekt që prek zona të veçanta, duhet të konsultohet paraprakisht Këshilli për Zbatim dhe Mbikëqyrje dhe të respektohen vendimet e tij në tërësi.

“Përderisa BE-ja e kupton vlerën e rrugëve që lidhin komunitetet, duhet të respektohen procedurat e aplikueshme. Para fillimit të çfarëdo veprimtarie që prek Zona të Veçanta të Mbrojtura duhet të konsultohet Këshilli për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM) dhe të respektohen vendimet e tij në tërësi, në interes të ruajtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore dhe për të mbështetur sundimin e ligjit në pajtim me zotimet ndërkombëtare të Kosovës. BE-ja rikujton zotimin e mëhershëm të Kosovës për të mos filluar punimet në rrugë, derisa nuk bëhet planifikimi dhe financimi i plotë i rrugës anësore, si dhe apelon për respektimin e këtij zotimi”, thuhej në deklaratë.

E edhe prifti, Sava Janjiq kishte tentuar ta pengonte këtë projekt, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, punimet po ndërhyjnë në zonën e mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit.

Shqetësime për një çështje të tillë, kishte ngritur edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në raportin e tij për Kosovën, Antonio Guterres.

Ai kishte se është  i brengosur rreth synimit për ndërtimin e rrugës në zonën e mbrojtur për rreth Manastirit të Deçanit, duke ftuar autoritetet lokale që të respektojnë ligjin dhe vendimet me të cilat ndërtimi është i ndaluar.

Mirëpo, megjithë vërejtjet dhe presionet e shumta, ministria e Infrastrukturës po vazhdon punimet në këtë rrugë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë sot për lajmi.net se punimet në atë zonë janë duke vazhduar me dinamikën e paraparë.

Sipas tij, shumë shpejtë do të përfundohet edhe segmenti me të cilin janë kontraktuar këto punime.

“Punimet në rrugën Deçan-Plavë nuk janë ndërprerë, ato janë duke u zhvilluar me dinamiken e paraparë, kompania është në kuadër të planit dinamik dhe shumë shpejtë do të përfundohet ai segment të cilin e kemi kotnraktuar”, ka thënë Kadriu.

Ndërkaq sa i përket zonës së mbrojtur, Kadriu thotë se punimet po vazhdojnë jashtë saj, dhe janë në kontakte të vazhdueshme me ambasadat dhe kishën ortodokse.

“Ne jemi në negociata me të gjitha ambasadat dhe me kishën ortodokse dhe do ta zgjidhim edhe problemin e zonës së mbrojtur.  Punimet janë duke u zhvilluar në segmentin të cilin e kemi tender ne dhe nuk ka ndërprerje të punës në asnjë segment”, ka bërë të ditur Kadriu.

Edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj,  ka thënë sot për lajmi.net se punimet nuk janë ndalur asnjëherë, dhe se ato kanë vazhduar jashtë zonës së mbrojtur.

Ai ka shtuar se deri në momentin kur të mirret pëlqimi  nga Manastiri i Deçanit dhe KZM-ja, nuk do të intervenohet në atë pjesë.

“Punimet nuk janë ndalur asnjëherë, punimet kanë fillu dhe deri tash nuk janë janë ndalu. Na e kemi respektu ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Kemi fillu me punu jashtë zonës së veçantë në fillim, dhe jemi tu i kry punimet jashtë zonës së veçantë deri sa ta marrim pëlqimin nga Manastiri i Deçanit dhe KZM-së, dhe deri sa të mirret ky pëlqim, ne nuk do të intervenojmë në zonën e veçantë që është diku rreth katër kilometra”, ka bërë të ditur Ramosaj.

Kujtojmë se zona përreth Manastirit të Deçanit është e mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)./E.Dragaj/Lajmi.net/