S’ka më kufizim moshe për postin e profesorit në UP

Deri tash në UP askush s’ka mundur të marrë gradën akademike profesor-asistent nëse i ka mbushur 51 vjet. Por, një vendim i Gjykatës Themelore ka rrëzuar nenin e Statutit të UP-së me të cilin kufizohet mosha për ata që konkurrojnë për t’u bërë profesorë në UP.

Lajme

26/02/2015 17:31

Sipas vendimit të Gjykatës, neni i Statutit të UP-së është antikushtetues, është në shpërputhje me Ligjin e Punës dhe me të drejtat e njeriut. Express sjell vendimin e Gjykatës.

Kushdo që ka mbushur 18 deri 65 vjeç dhe që plotëson kriteret mund të konkurrojë për t’u bërë profesor në UP. Kjo pasi një vendim i 9 dhjetorit të 2013-ës i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka rrëzuar vendimin e Senati të UP-së që vendoste pragun deri 50 vjeç për të fituar të drejtën e marrjes së titullit të parë akademik – profesor asistent.

Një vendim i tillë u arsyetua si jokushtues dhe shkelte Ligjin për procedurën administrative të Republikës së Kosovës, madje edhe në kundërshtim me rregulloret e UNMIK-ut. Senati i Universitetit të Prishtinës, më 25 maj 2010 kishte limituar moshën 50 vjeçare për t’u dhënë të drejtën e ligjërimit në UP të gjithë atyre që plotësonin kriteret.

Por, 3 vjet me vonë ky vendim u anulua nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pas padisë nga ana e Avokatit të Popullit.

Kufizimin e moshës për ligjërim Gjykata e konsideron në kundërshtim me nenet 24 dhe 49 të Kushtetutës së vendit, si dhe në kundërshtim me Ligjin për procedurë administrative (neni 84 dhe 84) dhe neni 3 i Urdhëresës Administrative nr.2003/2 për zbatim të rregullores së UNMIK-ut numër 2001/36 mbi Shërbimin Civil.

Pala e paditur, që në këtë rast ishte Senati i UP-së, nuk kishte arritur ta arsyetonte një vendim të tillë. Pos kësaj, Senati i UP-së kishte bërë kufizimin e moshës, përmes Statutit, duke përcaktuar se në UP nuk mund të zgjidhet mësimdhënës (profesor-asistent, profesor i asociuar dhe profesor i rregullt) askush që ka gradën shkencore ‘doktor i shkencave’ dhe që ka kaluar moshën 50 vjeçare, e që paraprakisht nuk ka tre vjet përvojë pune. Statuti ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht, Statuti është duke u ndryshuar dhe pritet që gjatë këtij viti të dërgohet për votim në Kuvend.

a

 

b

 

c