S’ka më bileta për duelin Kosova-Haiti

Lajm i keq për ata që kanë mbetur pa bileta. Në fakt, të hënën janë shitur të gjitha biletat që ishin në dispozicion për miqësoren ndërmjet Kosovës dhe Haitit, që do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Lajmi është konfirmuar nga kompania “Events & Communications”, me anë të një njoftimi për…

Sport

04/03/2014 16:10

Lajm i keq për ata që kanë mbetur pa bileta. Në fakt, të hënën janë shitur të gjitha biletat që ishin në dispozicion për miqësoren ndërmjet Kosovës dhe Haitit, që do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Lajmi është konfirmuar nga kompania “Events & Communications”, me anë të një njoftimi për medie.

“Shitja e biletave zyrtarisht është mbyllur. Informojmë qytetarët se bileta më nuk ka në shitje dhe të mos bien pre e mashtrimeve”, është thënë në komunikatën e kësaj kompanie.

“Gjithashtu, biletat e shitura deri më sot kanë tipare të shumta të sigurisë dhe e bëjnë të pamundshme falsifikimin e tyre. Të gjithë ata që identifikohen, që falsifikojnë bileta apo zihen me bileta false, do të dënohen sipas ligjeve në fuqi”, vazhdon njoftimi.

Kjo kompani u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët nuk posedojnë bileta, që në ditën kur edhe zhvillohet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Haitit të mos tentojnë të vijnë afër stadiumit për të kërkuar bileta për të hyrë në stadiumin, pasi mund të krijojnë vetëm tollovi.