S’ka më bastione

Elektorati ka befasuar partitë politike me rezultatin e zgjedhjeve lokale duke mos ua siguruar rehatinë as në komunat që për vite me radhë janë konsideruar bastione.

Lajme

24/10/2017 09:08

Podujeva e Istogu që pothuajse një dekadë udhëhiqen nga LDK-ja nuk kanë arritur që me herën e parë të dalin fituese duke shkuar kështu në balotazh me lëvizjen “Vetëvendosje” në Podujevë e në Istog me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse PDK-ja e konsideronte të sigurt fitoren në Vushtrri pasi udhëheq në këtë komunë që dy mandate, por ka befasuar rezultati i kandidatit të LDK-së që ka çuar Vushtrrinë në balotazh pas kaq vitesh.

Në anën tjetër, pavarësisht përpjekjeve të AAK-së që ta rikthejë Pejën elektorati ndëshkoi AAK-në duke i siguruar fitore pa balotazh LDK-së në këtë komunë.

E lëvizja “Vetëvendosje” që kishte një përkrahje të madhe në Anamoravë nuk arriti që asnjë komunë nga kjo anë ta fitojë me herën e parë, shkruan “Zëri”.

Ajo ka shkuar në balotazh në Gjilan, në Kamenicë e në Viti.

Ndërkaq në lidhje me rezultatet befasuese njohësit e çështjeve politike thonë se po rikonsolidohen partitë politike në vend dhe se disa parti kanë ndjekur model të gabuar në këto zgjedhje.