S’ka kompromis me PDK-në

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani shprehet se partitë e Bllokut nuk kanë pse të bëjnë kompromis me PDK-në, për të formuar institucionet e vendit.

Lajme

22/10/2014 08:41

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Ramadani ka thënë se institucionet do të formohen, por PDK-ja do të mbetet në opozitë, duke përjashtuar mundësinë e një arritje të kompromisit me PDK-në.

“Nuk mund të ndalet korrupsioni duke bërë kompromis me të korruptuarit. Nuk mund të ndalet krimi i organizuar duke bërë kompromis me përfituesit. Nuk mund të ndalet ekstremizmi duke bërë kompromis me lehtësuesit e ekstremizmit. Institucionet e Kosovës duhet të formohen dhe ato do të udhëhiqen nga bashkimi i partive , duke lënë në opozitë PDK-në”.

“Kam parë deklarata se ‘pa PDK-në nuk bëhen institucione’. Normalisht, askush nuk po tenton ta fshijë PDK-në nga skena politike. Por, roli i saj në institucione do të jetë opozita”, ka thënë ai.

I pyetur se nëse marrëveshja në mes LDK-së, AAK-së , Nismas dhe Vetëvendosjes do të riformohet, duke bërë që Isa Mustafa të bëhet i nominuari i bllokut për kryeministër, Ramadani ka thënë se këto parti shqiptare kanë një marrëveshje dhe asaj do t’i përmbahen.

“Duket se opinioni publik në Kosovë ka harruar se partitë politike qëndrojnë në marrëveshjet e arritura. Në fakt, ndoshta janë ndikuar nga logjika e PDK-së gjatë këtyre viteve që nuk ka mbajtur marrëveshjet me partitë e tjera. Marrëveshja mbi të gjitha, konceptualizon ndryshimin e madh në Kosovë dhe si e tillë është garanci për fillimin e reformave të thella në vend”.