S’ka investime, agjencitë e rejtingut shmangin Kosovën

Edhe pse ka 9 vite që Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe ka një rritje ekonomik prej 4 për qind, Kosova ende nuk po vlerësohet nga agjencitë e rejtingut financiar, siç janë Standard Poor’s, FITCH, Moody’s, etj.

Lajme

21/06/2017 16:56

Nëse do të kishte vlerësim nga këto agjenci, për Kosovën do të kishte një pasqyrë më të saktë për të pasur më shumë zhvillim dhe investime të jashtme, por edhe për të arritur deri në këtë pikë duhet të ketë shumë punë, angazhim dhe bashkëpunim me institucionet gjegjëse ndërkombëtare.

Njohësi agjencive të rejtingut, Bleron Baraliu, i cili jeton dhe vepron në ShBA, vlerësoi se për tu futur Kosova në ranglistën e shteteve për rating financiar, shtetit i duhet shumë punë dhe angazhim.

“Duhet të ketë edhe bashkëpunim me agjencitë e rejtingut financiar në mënyrë që të përfitojë një klasifikim të rrezikshmërisë, apo siç quhet: “credit rating”.  Problemi është në atë se rrezikshmëria e lartë politike dhe gjendja e vështirë ekonomike e bëjnë tejet të vështirë një klasifikim përmbajtësisht të dobishëm.  Pra klasifikimi për Kosovën në këto rrethana vështirë se do të ishte më tepër se në kategoritë më të ulëta, ato që konsiderohen jo-të-investueshme apo me probabilitet të lartë për humbje apo falimentim”, tha Baraliu për RTKlive.

Sipas tij për mundësinë që Kosova të përfitojë dhe të vlerësohej nga SP, FITCH e institucione të tjera, nuk mund të llogaritet në krijimin e një klime të një mendtë që tërhiqen investitorët e jashtëm.

“Për t’u nisur nga hipoteza mohuese, vlen të theksojmë se nuk mund të llogaritet në krijimin e një klime të një mendtë që tërheqim investitorët e jashtëm pa pasur një standard vlerësimi të rrezikshmërisë për investim. Në këtë drejtim agjencitë botërore me rejtingun e tyre janë standardi mbi të cilën investitorët bazohen për të vlerësuar meritën e rrezikshmërisë në proporcion me projeksionet e fitueshmërisë nga një projekt apo aferë ekonomike në një vend të caktuar.  Pra, kur kemi të bëjmë me investime, si në një vend, si në një kompani të caktuar, është tejet e rëndësishme të kemi parasysh rrezikshmërinë e falimentimit ekonomik apo rreziqeve tjera politike dhe administrative, p.sh. fuqia dhe aplikimi i ligjit, saktësia dhe transparenca e kontabilitetit, etj”, tha ai.

Ai tha se në mungesë të vlerësimit nga këto agjenci, investitorët janë të detyruar që në kalkulimet e tyre të llogarisin një rrezikshmëri të klasës më të lartë, që e fut Kosovën në kategorinë ‘junk’, që do të thotë është e mbetur nën shkallën investive, rejting më pak se BBB, zakonisht në klasën C), ku nevoja për kthim proporcional në investim zakonisht shkon në marxhe mbi 20,25%, e nganjëherë dhe më lartë.  Në këtë kontekst dollarin e jashtëm investiv ne Kosove e bën tejet jo konkurrent me vendet fqinje, duke e bërë tepër të vështirë që Kosova të tërheq investimet e huaja në krahasim me Serbinë, Maqedoninë, apo Shqipërinë.

“Shqipëria dhe Mali i Zi kanë S&P rejtingun B+, që po ashtu është nën kategori investive, pra ‘junk’, ndërsa Maqedonia dhe Serbia BB-, pra një shkallë më lartë se Shqipëria.) Këtu vlen të vështrojmë se Mali i Zi ka parashikim negativ për të ardhmen, përderisa Serbia ka parashikim pozitiv, Maqedonia dhe Shqipëria kanë parashikim stabil”, tha ai.

Për Kosovën, Baraliu tha se në këto suaza vështirë se do te arrinte diçka me shumë se CC+ apo CCC. “Prapë se prapë kjo do të ishte me e vlefshme se mungesa totale e rejtingut. Kjo do ta klasifikonte Kosovën si një vend me rrezikshmëri më të ulet se Portoriko dhe të krahasueshme me Venezuelën, por më të rrezikshme se Iraku, Greqia, Uganda etj”, tha ai.

Standard Poor’s”: Ne rejtingojmë kompanitë që dëshirojnë të vlerësohen nga ne

Zyra për marketing, e Standard Poor’s”, ka njoftuar se Kosova nuk bën pjesë në rejtingun e kësaj kompanie. “Standard & Poor’s, rejtingon kompanitë që dëshirojnë të vlerësohen nga ne. Në mënyrë që një kompani të marrë një vlerësim ata duhet të kontaktojnë S & P”, thuhet në përgjigjen për RTKlive.

Standard Poor’s”, nuk ka treguar nëse ndonjë kompani nga Kosova, ka shprehur interesim për tu vlerësuar qoftë kompaninë apo Kosovën dhe për ta futur atë të shtetet me rejting financiar.

https://www.cnb.cz/miranda2/export/sites/www.cnb.cz/en/monetary_policy/inflation_reports/2011/2011_IV/boxes_and_annexes/zoi_2011_IV_box_2_tab_1_en.gif