S’ka fotografim të votës

KQZ vendos kundër fotografimit të votës në ditën e zgjedhjeve. Kjo ishte kërkesë e anëtarit të LDK’së, Florian Dushi, e cila u mbështet edhe nga anëtarët tjerë të Komisionit. Zbulimi i votës përbën vepër penale. E zbulove, shkove në burg.

Lajme

29/10/2013 14:57

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka ndaluar votuesve që ta fotografojnë fletëvotimin e tyre.

Në mbledhjen e sotme, KQZ ka miratuar kërkesën e LDK’së për të mos lejuar përdorimin e mjeteve të fotografimit nga ana e votuesve gjatë kohës sa ata kryejnë procedurat e votimit.

Anëtari i KQZ’së nga LDK, Florian Dushi, ka thënë se ky institucion duhet të reagojë për t’i përshtatur dispozitat ligjore ndaj fenomenit të fotografimit të votës për ta rikthyer atë si dëshmi për një subjekt të caktuar politik.

“Pjesa e teknologjisë, nga koha kur është nxjerrë ligji, ka avancuar mjaft. Por ligji, kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare garantojnë fshehtësinë e votës, garantojnë që qytetari nuk do të detyrohet apo kushtëzohet që subjekti ta votojë një subjekt të caktuar politik dhe ka propozuar forma të cilat KQZ varësisht nga rrethanat mund të vendosë me qëllim të sigurimit të fshehtësisë së votës”, ka thënë Dushi.

KQZ ka vendosur që Këshilli për Informim i këtij Komisioni ta përgatisë materialin me shenja të dallueshme të cilat u bëjnë të qartë votuesve se fotografimi i fletëvotimit të tyre është i ndaluar.

“Qytetari duhet të lirohet nga detyrimi prej dikujt tjetër që ta publikojë votën e vet”.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë që të mos e kërkojnë nga qytetari një gjë të tillë”, është shprehur Florian Dushi.

Anëtari i KQZ’së nga PDK, Ilir Gashi ka thënë se e mbështet këtë kërkesë, nëse në të bëhet e qartë që votuesit kanë të drejtë t’i mbajnë me vete aparatet telefonike, por të mos i përdorin ato.

“Unë nuk mundem personalisht ta di kur një qytetar detyrohet ta bëjë publike votën e vet”.

“Nuk e di nëse është menduar që votuesit të mos lejohen të hyjnë në vendvotim me aparat fotografimi, sepse është shumë e vështirë që të detektohet çdo qytetar se a ka aparat telefonik apo jo, dhe kjo është e vështirë të realizohet”.

“Unë personalisht do ta mbështes, nëse nuk kërkohet që votuesit të mos ndalohen t’i bartin me vete aparatët telefonikë”, ka thënë Ilir Gashi.

Sipas Adnan Rrustemit nga Vetëvendosje, kërkesa është “plotësisht e realizueshme”.

“Duhet ta bëjmë informimin e votuesve, për t’i parandaluar edhe ndjekjet penale ndaj tyre”, ka thënë Rrustemi.

Anëtarët e KQZ’së thanë se zbulimi i fshehtësisë së votës përben vepër penale.