S’ka fletëarrest për Vulinin

Prokuroria e Shtetit ka pushuar hetimet ndaj ministrit serb Aleksandar Vulin. Ai është i lirë që nesër të vijë në Kosovë.

Lajme

31/10/2013 12:56

Aleksandar Vulinit i është hapur rruga për të ardhur nesër në Kosovë, pasi që është tërhequr kërkesa për fletëarrest ndaj tij.

Këtë e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit, përmes një komunikate në të cilën thuhet se hetimet ndaj ministrit serb tashmë kanë pushuar.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 30 tetor 2013, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë që ta tërheq urdhër-arrestin e lëshuar ndaj të pandehurit Vulin, si dhe ka pushuar hetimet, pasiqë janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas marrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve kundër Aleksandër Vulin, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë dhe kërkesës drejtuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arrest ndaj të pandehurit Vulin, ka autorizuar Policinë kufitare që të kryej hetime shtesë lidhur me këtë rast”.

Prokuroria thotë se më 29 tetor, në orën 15.50, ky institucion ka pranuar nga Policia e Kosovës raportin plotësues në të cilin thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve lidhur me këtë rast, që ka të bëjë me vepër penale të kualifikuar si “kalim ilegal i kufirit”, janë siguruar dëshmi, në bazë të së cilave vërtetohet se Vulin, më 16.10.2013, nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës ka hyrë përmes vijës hekurudhore Kralevë-Zveçan-Mitrovicë e Veriut, e cila është pikë e autorizuar për kalim kufitar.

Vulin pritet që nesër, bashkë me Zëvendës kryeministrin e Parë të Serbisë, Aleksandar Vucic, ta bëjë një ekskursion nëpër vendbanimet e serbëve të Kosovës për t’u bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.