S’ka dialog për zgjedhjet parlamentare

Kryeministri Hashim Thaçi ndodhet në Bruksel, ku të hënën (sot) do të takohet me kryeministrin serb në largim, Ivica Dacic dhe zëvendësin e tij, përkatësisht kryeministrin në ardhje Aleksandar Vucic.

Lajme

31/03/2014 06:47

Ky është raundi i 23-të i dialogut që po zhvillohet, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pritet që të diskutohet për gjyqësinë në veri, si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Thaçi, sipas të cilit shtrirja e sistemit të drejtësisë në veri do të jetë në fokus të takimit të sotëm.

Ndërkohë, kryeministri në largim i Serbisë u ka thënë mediave në Beograd se takimi i radhës në Bruksel pritet të jetë mjaftë i vështirë, raporton KosovaPress.

“Bisedime që kanë të bëjnë me gjithë atë që nuk kemi arritur marrëveshje deri më tani apo ato çështje që duhet të zbatojmë nga marrëveshja tashmë e arritur”, ka thënë Daçiq.

Përveç funksionimit të Gjyqësorit në veri dhe themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, Dacic ka shprehur interesim që në këtë takim të hapet për diskutim edhe çështja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë dhe modalitetet e pjesëmarrjes së komunitetit serb, për çfarë pala kosovare e ka hedhur poshtë si mundësi.

Delegacioni serb do të përballen në Bruksel edhe me presionin e Bashkimit Evropian, i cili po ashtu do të kërkojë nga Beogradi që të përcaktohet ndaj krizës së Ukrainës.