S’ka debat për çështjen e punëtorëve të Fabrikës së Gypave

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke folur për kërkesat e punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt, të cilët po protestojnë para Qeverisë, ka deklaruar se nuk është e udhës që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i formës së prerë, të sillet në Kuvend.

Lajme

17/03/2014 14:07

Ai kërkoi nga ekzekutivi, por dhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Mendoj që Parlamenti padrejtësisht po futet në këtë çështje, pasi të gjithë e dimë që vendimet e gjykatave kur janë përfundimtare, dhe në mënyrë të veçantë ato të Gjykatës Kushtetuese, edhe atëherë kur ne nuk mund të pajtohemi me ato vendime, janë të obligueshme për institucionet , pra edhe për ekzekutivin”.

“Parlamenti dy herë ka debatuar për çështjen e punëtorëve të Fabrikës së gypave të Ferizajt dhe i ka dy rekomandime, për Qeverinë dhe AKP’në dhe thuhet se ata duhet ta zbatojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese”.

“Me ligjin e AKP’së, ata e paskan një fond të mirëbesimit rreth 100-115 milionë eurosh, dhe ata thonë se 75 përqind të mjeteve kanë të drejtë t’i dedikojnë për çështje publike, por ata duhet të bëjnë kërkesën në Kuvend. Dhe nëse ata e bëjnë kërkesën që një shumë e këtyre mjeteve të ju ndahet punëtorëve, Kuvendi nuk e ka asnjë arsye që të mos e merr atë vendim”.

“Një gjë e di që vendimet e gjykatave janë të obligueshme për ekzekutivin, në këtë rast edhe për AKP’në”.