S’ka Babadimër sivjet!

Me një papërgjegjësi të rrezikshme politike dhe financiare të autoriteteve të vendit, është krijuar një borxh i keq për Kosovën, të cilin ne do ta paguajmë tash e tutje.

Lajme

18/12/2014 16:37

“Do të ketë rritje të rrogave, aq sa do të kemi mundësi”.
Kjo është porosia e ftohtë si akull, të cilën e tha këto ditë për të gjithë qytetarët e Kosovës, Abdullah Hoti, Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës.

Për më shumë, Hoti ua bëri me dije në takimet që pati me përfaqësuesit e Sindikatave të Kosovës, që ata jo vetëm se nuk duhet të mbajnë shpresë që në vitin 2015, ashtu siç u ishte premtuar në fushatën parazgjedhore, se do të ketë rritje të pagave për 25%, por për më tepër, ai iu tha që nuk është as rendi që prej 1 janarit të vitit vijues, do të nisë aplikimi i Marrëveshjes/ Kontratës Kolektive, e cila me aq bujë u nënshkrua poashtu gjatë fushatës parazgjedhore.

Në linjat buxhetore në Propozim-Ligjin për Buxhetin e Kosovës për vitit 2015 nuk figurojnë ato shtatë milionë Eurot, të cilat do të duhej të dedikoheshin për jetësimin e kësaj Kontrate, e cila ka fuqinë e një Kushtetute për të drejtat e punëtorëve, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Sipas lajmeve të fundit, po kuptohet që ka probleme edhe me fillimin e Sigurimeve Shëndetësore, që do të duhej të ishte hapi i parë dhe më i madhi në këndelljen e shëndetësisë publike në Kosovë.

Rëndom, fundi i vitit është koha kur babadimri sjell lajme të mira, i personifikuar në Zotin e shtëpisë, në familje, në Drejtoritë e kompanive publike dhe private, për të punësuarit aty, në Qeveritë e shteteve, për qytetarët e atij vendi. Por duket që kësaj here, në dhjetorin e këtij viti, nuk do të ketë lajme të mira fare në Kosovë. Së paku në këtë nivelin e autoriteteve qendrore.

Nuk është pra për tu befasuar që qindra dhe mijëra shqiptarë të Kosovës, vazhdojnë të besojnë që lajme të mira për ta mund të ketë vetëm nëse disi arrijnë të hyjnë, pa viza, këmbë, ilegalisht, në shtetet e Bashkimit Evropian. Nuk ka siguri fare që atje do të gjejnë çfarë po kërkojnë, apo, atë në të cilën besojnë: Jetën më të mirë. Po, përditë do të ketë edhe kthime me dhunë nga ndonjë kufi, apo, edhe nga vetë shtetet evro-perëndimore, në Kosovë.

Përditë, mediat tona do të përcjellin lajme dhe rrëfime të rënda për vuajtjet e këtyre kosovarëve, që shpëtimin e kërkojnë në Perëndim. Ama duket që asgjë nuk mund t’i ndalojë ata që përkundër 100 rreziqeve, ta provojnë fatin e tyre në këtë mënyrë. Kjo do të thotë, nëse jemi fare të sinqertë ndaj njeri-tjetrit (sinqeriteti i kësisoj është ‘mall’ deficitar në politikën kosovare, për të mos thënë që nuk ekziston fare), që ata kanë zero shpresë që këndejpari, në Kosovë, gjendja mund të ndryshohet sadopak në muajt dhe vitet në vijim. Prandaj, ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka, edhe të hynë në borxh deri në fyt, për ta hequr kokën prej Kosovës.

Ky është realiteti. Në rrethanat e tanishme. Dhe ai vështirë që mund të ndryshojë me masat represive të shtetit, të cilat nuk mund të japin rezultat të mirëfilltë. Ndëshkimi do të na vije të gjithëve, siç do të kuptohet për pak muaj, në trajtë të shtyrjes së mëtejme të Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Do të vazhdojmë kështu të mbetemi shteti më i izoluar në Botë. Dihet në cilat shtete ne mund të udhëtojmë pa viza.

Porosia e Ministrit Hoti, i cili vendosë një lidhje të kauzalitetit të logjikshëm midis mundësive që ka shteti, rritjes së rrogave, hapjes së vendeve të reja të punës, përmirësimit të gjendjes sociale në vend, poqëse ‘përkthehet’ në një gjuhë edhe më të qartë për të gjithë ne, i ka dy domethënie shumë të rëndësishme:

Së pari, me Buxhetin që është propozuar nga Qeveria e Kosovës, si dhe me parashikimet për rrjedhjet financiare buxhetore në Kosovë, po nga kjo Qeveri, në vitet 2015, 2016, 2017, del që këndejpari këto mundësi, si për rritje të pagave, poashtu edhe për punësim, do të gravitojnë kah zeroja.

Pra, do të ketë shtim të migrimit ilegal nga Kosova në Perëndim. Midis të tjerave. Në këtë mënyrë, cinikët do të mund të thonë që do të ndodhë ulja e papunësisë në vend, dhe poashtu, madje, mund të ketë edhe shtim të parave që familjarët na i dërgojnë nga Perëndimi.

Së dyti, po del që Qeveria  (e deritashme), menaxhimin e financave publike, përfshirë pra edhe rrogat në sektorin publik, e ka bërë përtej mundësive reale që ka Kosova. Është kjo një papërgjegjësi e rrezikshme politike dhe financiare, sepse është krijuar një borxh i keq për Kosovën, të cilin të gjithë ne do të duhet ta paguajmë tash e tutje. 

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)