Situata qesharake me ‘Met Office’ nga mosnjohja e anglishtes nga punëtorët e ASHNA

Kallxuesi i parregullsive në Aeroportin e Prishtinës , Bujar Ejupi ka treguar edhe një situatë qesharake që sipas tij ndodhi kur një i huaj tentoi të komunikojë me zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Lajme

19/04/2018 23:24

Ejupi në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se një pilot apo zyrtar i KFOR-it kishte kërkuar të shkojë te “Met Office” (shkurtesë për Zyrën e Meteorologjisë), por zyrtarët e kishin dërguar te një person të quajtur Met.

“Kur punon në aviacion punon në nivel ndërkombëtar. Një njeri në aviacion duhet të dijë anglisht. Fatkeqësisht jo të gjithë dinë anglisht. Dhe shumë njerëz jo që s’dinë anglisht por nuk e dijnë as çfarë punojnë, nuk e dinë as çfarë punon agjencioni. Vjen një pilot dhe lyp me shku në ‘MET Office’ ose Zyra e Meteorologjisë dhe ata e shohin nuk e kuptojnë dhe e çojnë te Meti (person me emër Meti)”, rrëfen Ejupi.

Ejupi që ishte zv.drejtor për Administratë dhe Financa po ashtu thotë se në ASHNA kishte parregullsi në pagesat e punëtorëve.

“Rritja e rrogave , më shumë se 20 vetave u është rritur rroga pa asnjë procedurë. Rroga më e madhe është prej 900 në 1.900 euro.”, tha Ejupi.

Në këtë emision të Jeta në Kosovë trajtohet siguria e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës.

Në këtë emision u transmetua pjesa e dytë e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania Limak./Kallxo.com