SITF nuk u jep llogari Institucioneve të Kosovës

Statusi i SITF do parasheh ndryshimin dhe plotësimin e disa ligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it. Bazuar në këtë, kjo Task-Forcë do të funksionojë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, si njësit i ndarë.

Lajme

19/04/2014 11:00

Task Forca Speciale Hetuese (SITF) do të jetë një superforcë. Ajo nuk do t’u japë asnjë llogari institucioneve të Kosovës edhe pse do të jetë pjesë e tyre.

SITF është themeluar në vitin 2011 nga Këshilli i Bashkimit Europian me mandate për të hetuar dhe për ndjekje penale të individëve të dyshuar për krimet e pretenduara  në raportin e Dick Marty. Ajo ka funksionuar në kuadër të EULEX-it, mirëpo selinë e ka pasur jashtë vendit, shkruan sot Koha Ditore.

Mandati i kësaj trupe nuk është i ndërlidhur me atë të EULEX-it. Kjo i garantohet edhe me shkëmbimin e letrave që kanë bërë Presidentja Atifete Jahjaga me Shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, derivat i të cilit do të jetë një ligj që krijon një Gjykatë Speciale për t’i trajtuar aktakuzat që mund t’i sponzorizojë SITF.

Statusi i SITF është përshkruar edhe në një projektligj që parasheh ndryshimin dhe plotësimin e disa ligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it, të cili Qeveria të premten e ka miratua dhe menjëherë e ka proceduar për votim në Kuvend.

Bazuar në këtë, kjo Task-Forcë do të funksionojë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, si njësit i ndarë, i pavarur dhe me funksion hetuar dhe prokuroral me të gjitha kompetencat dhe autonominë e nevojshme.  (KohaDitore)