Siria s’është lufta jonë

Kryeimami Sabri Bajgora kërkon nga kosovarët që gjenden në luftën e Sirisë që të kthehen sa më shpejt në Kosovë. Thotë se kjo luftë nuk është Xhihad dhe ka devijuar nga misioni i saj për çlirim nga diktatura, pasi po luftohet për supremacion politik.

Lajme

09/01/2014 17:05

Bashkësia Islame e Kosovës u ka bërë thirrje në mënyrë direkte të gjithë kosovarëve të cilët po marrin pjesë në konfliktin e Sirisë, që të kthehen sa më shpejt në vendlindje.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, ka thënë për Emisionin “Info Magazinë” të Klan Kosovës se konflikti në Siri ka devijuar nga një luftë për çlirim nga diktatura e Kryetarit aktual Bashar al-Assad.

Sipas tij, kjo luftë më nuk mund të quhet “Xhihad”, pasi që grupe të ndryshme po luftojnë për “supremacion politik”.

“Ne u bëjmë apel bijve tanë që gjenden në Siri që të kthehen, pasi që atje lufta për çlirim ka devijuar”.

“Kjo luftë po merr viktima të pafajshme, pasi që po shfrytëzohet për interesa të ndryshme”.

“Nuk duhet të shkohet në Siri, pasi që ai nuk është Xhihadi. Kjo është luftë në mes të njerëzve me të njëjtën religjion, është për supermacion politik”.

Bajgora ka thënë se të rinjtë kosovarë po manipulohen nga qarqe të ndryshme, duke shkuar për të luftuar përkrah grupeve opozitare në Siri.

Ai është shprehur se BIK ka pritur me indinjatë të thellë vrasjen e 4 kosovarëve në Siri

“BIK ka pritur lajmin me indinjatë të thellë për rënien e kosovarëve në konfliktin e Sirisë.”

Bajgora, ndonëse e ka quajtur si shumë legjitime kërkesën e opozitarëve sirianë për të ftuar përkrahje nga jashtë, ai prapë thotë se ky konflikt nuk është i kosovarëve.

“Unë e shoh si legjitime kërkesën e tyre për ndihmë nga jashtë. Edhe në Kosovë ka pasur luftëtarë nga Britania, Franca, Spanja të cilët e kanë dashur lirinë. Kjo tregon që edhe kosovarët janë liridashës. Por, kjo nuk është luftë e tyre, ajo është luftë e popullit sirian”, ka thënë Sabi Bajgora për “Info Magazinë” të Klan Kosovës.

Deri më tani raportohet se numri i pjesëmarrësve kosovarë në këtë konflikt arrin deri në 150. Mirëpo, Bajgora e mohon këtë duke e quajtur si një numër të zmadhuar.

“Nuk besoj që ka një numër aq të madh të kosovarëve në luftë”.

“As në Bashkësinë Islame nuk ka numër të saktë. Thuhet se ka 40 apo 50. Nuk kemi ndonjë numër të saktë pasi që nuk jemi marrë me këto statistika”.

Sipas raportimeve të organizatave ndërkombëtare, thuhet se numri i ushtarëve rebelë në Siri arrin në 100 mijë, ku 11 mijë konsiderohet se janë të huaj.