Siria merr edhe pesë shkupjanë të rinj

Tre muaj më parë, lajmi për vdekjen e një 20 vjeçari që luftonte në Siri, nga lagja Gazi Babë e Shkupit, tronditi familjen e tij. Por jo edhe bashkëmoshatarët. Një grup tjetër u nis po ato ditë, ndërsa një tjetër banor i lagjes iu shtua numrit të atyre që luftojnë tash e një muaj më parë.

Lajme

23/03/2015 22:10

Familjet janë të shokuara nga zgjedhjet që kanë bërë fëmijët e tyre, apo edhe nga lajmi që presin çdo ditë të marrin. Nëse janë gjallë apo kanë vdekur?. Askush prej tyre nuk dëshiron të flasë hapur – disa nga turpi, të tjerët nga frika

Personat nga Maqedonia vazhdojnë t’i bashkohen formacioneve ushtarake që luftojnë në Siri. Kush janë, pse shkojnë, kush i manipulon, apo si i detyrojnë që vullnetarisht apo me pahir të luftojnë në vendet e konflikteve. Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë dhe cilat janë detyrimet që kanë dhe informacionet me të cilat disponojnë institucionet përkatëse lidhur me këtë fenomen dhe parandalimin e tij. A është Maqedonia më e rrezikuar sesa vendet e tjera të rajonit nga grupet radikale islamiste?

Gazeta KOHA disponon me emrat e disa djemve nga Shkupi që janë nisur drejt Sirisë këta muaj të fundit dhe kjo është një prej arsyeve që përmes disa shkrimeve radhazi do të jepet një pasqyrë e gjendjes, por edhe të sensibilizohet opinioni lidhur me këtë fenomen. Ata që janë nisur muaj më parë dhe ata që mund të nisen nesër nuk dallojnë shumë nga të tjerët. Janë të rinj që kanë histori të ngjashme, por që mund të kenë edhe fat të ngjashëm. Materiali i grumbulluar dhe shumica e dëshmive janë marrë nga njerëz të afërt dhe persona që duan të mbeten anonimë, pasi askush nuk e pranon apo edhe nuk flet publikisht për histori dhe përvoja të tilla të anëtarëve më të ngushtë të familjes – nga frika, apo turpi, shkruan kjo gazetë shkupjane.

Në një shkrim tjetër thuhet se në Shkup ka disa xhami që nuk janë nën kontrollin e tërësishëm të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, pasi Këshillat e xhamive vazhdojnë të refuzojnë kontaktet me autoritetet legale fetare.

Në këto xhami, Myftynia e Shkupit konsideron se segmente të lëvizjeve ilegale po rekrutojnë të rinj shqiptarë drejt vatrave të konfliktit në vendet arabe. Në një prononcim për gazetën KOHA, myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani thotë se ky fenomen po bën që shumë xhami të njollosen dhe të etiketohen si vende nga ku bëhet nisja e të rinjve drejt Sirisë dhe Irakut. Jo vetëm Gazi Baba, por edhe Çairi, Saraji, Haraçina… janë lagje ku shfrytëzohen xhamitë, mektebet, pa dekretin e BIM, gjatë orëve të natës apo pas namazit të Jacisë për të larë trurin e shumë të rinjve.

“Ashtu si edhe cekej në shkrimin tuaj për xhaminë Jahja Pasha, apo Tutunsëz, që ne nuk i kemi nën kontroll, një gjë e tillë është e vërtetë. Imami i rregullt e bën punën e vet, por problemin e kemi me Këshillin e xhamisë që refuzon të komunikojë me ne. I kemi thirrur disa herë, por s’e kuptoj se pse ata nuk kanë dëshirë të japin sqarime. Për shembull, për rastet kur ftojnë njerëz të thjeshtë apo teologë, ose edhe hoxhallarë nga vende të huaja, si Shqipëria, Bosnja, vendet arabe e të tjera, për të mbajtur ligjërata, ne nuk e dimë se çfarë ligjërohet, pasi askush prej tyre nuk është i ftuar në formë zyrtare, por nga individë. Tek Jahja Pasha është shqetësues edhe një fakt tjetër – përbërja e Këshillit. Ata s’janë njerëz të thjeshtë, por ka mes tyre edhe intelektualë, bartës funksionesh nëpër institucione të ndryshme, madje edhe në shkolla”, thotë myftiu. Sa i takon xhamisë së Tutunsëzit, aty s’ka besimtarë të rregullt që e frekuentojnë. Shumica e banorëve janë larguar, ndërsa ajo është në funksion vetëm të hoxhës dhe lobit të tij më të ngushtë, thotë myftiu. Ai shton se edhe imamit të asaj xhamie i kanë kërkuar që të kontaktojë me BFIM-në, por ai ka refuzuar.