Sipas Komunës, Sokol Bashota e ka kthyer banesën

Redaktori i buletinit “InfoKlina” (organ i Komunës), Berat Dakaj ka thënë se kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota, ia kthyer Komunës banesën para gati një viti.

Lajme

23/12/2014 21:07

“Sot mora vesh nëpërmjet medieve se Policia e kishte bastisur edhe zyrën e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota për, kinse, ndarje të banesës vetes. Athu ka qenë në dijeni Prokuroria se atë banesë kryetari ia ka kthyer prapë në pronësi Komunës para gati një viti. Sigurisht jo, se nuk do të merrej me këtë rast”, ka thënë Dakaj për Indeksonline.

Sipas tij, edhe po të mos e kishte kthyer banesën Bashota, nuk ka asgjë të keqe.

“Kryetari Bashota sapo ka rregulluar një kat të shtëpisë në fshatin e tij të lindjes, Caravik, ka shkuar të jetojë aty, kurse banesën, pronë e komunës, e ka liruar. Dmth., atë banesë nuk e ka pasur të përjetshme. I është ndarë vetëm sa për të pasur kulm mbi kokë. Madje këtë banesë ai nuk ia ka ndarë vetes, por i është ndarë atij dhe disa drejtorëve të drejtorive të Komunës së Klinës në një mbledhje të Asamblesë Komunale të Kuvendit Komunal të Klinës. Për këtë banesë, që kurrë nuk ka qenë e tij, ai ka paguar qira”, ka thënë ai në fund.

Sot pasdite Bashota është bastisur lidhur me hetimet për procesin e ndarjes së banesave komunale.