Sipas Komisionit, Raporti për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale i plotëson kushtet për miratim

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, Besa Gaxherri, në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim hapësinor tha se ky raport i plotëson kushtet për t’u miratuar.

Lajme

19/06/2018 18:01

“Komisioni pas shqyrtimit vlerësoi se raporti i plotëson kushtet për t’u miratuar ngase paraqet gjendjen reale dhe mënyrën e menaxhimit”.

Ndërsa në emër të GP të LDK-së, Gaxheri ka theksuar se arsyet pse kjo agjenci ishte në, siç thotë ajo, kaos total, janë neglizhenca e qeverisë, e agjencisë dhe Ministrisë së Ambientit, raporton Ekonomia Online.

“Neglizhenca e qeverisë, agjencisë dhe Ministrisë së Ambientit që nuk janë bartur të gjitha projektet, financat e agjencisë në fjalë për menaxhimin e komplekseve memoriale bënë këtë agjension të jetë në një kaos total. Në bazë të raportit shohim se buxheti fillestar për vitin 2017 është 3 milionë e 911 mijë e 878 euro, buxheti final në fundvit është 3 milionë e 231 mijë e 838 euro. Buxheti total i shpenzuar gjatë vitit është 3 milionë e 175 mijë e 882 euro ku prej tyre për paga janë 86 mijë e 600 euro, mallra dhe shërbime 531 mijë euro shpenzime komunale 30 mijë euro, 3 milionë për shpenzime kapitale. Ndarja finale e buxhetit ka ndryshuar për shkak të vendimit të qeverisë për tërheqjen e mjeteve të lira”.

Ganimete Musliu, në emër të GP të PDK-së, u shpreh kundër miratimit dhe shqyrtimit të raporteve të agjencive të pavarura në Kuvend, raporton EO.

“Raportet e agjencive të pavarura që shqyrtohen në Kuvend për mua vazhdojnë të jenë dokumentet më të pakuptimta që miratohen në këtë Kuvend. Për ta vërtetuar pakuptimësinë e raporteve, dua të bëj një pyetje: Çka ndodh nëse një raport i ndonjë agjencie nuk miratohet në Kuvend, përgjigjja është se nuk ndodh asgjë, agjencia vazhdon punën por rritet arroganca dhe keqmenaxhimi”.

Faton Topalli, në emër të GP të PSD-së, tha se deri më tani nuk ka pasur trajtim dinjitoz të memorialeve në Kosovë.

“Raporti përmbush obligimet ligjore, por ky agjension prej themelimit të tij e deri më 2017 është përballë me probleme sa u përket kompetencave që atij ia përcakton Kuvendi, një problem që deri me tani nuk është zgjedhë dhe shpresoj të zgjidhet gjatë vitit 2018 me drejtuesin e ri të këtij agjensioni. Po shihet se deri më tani nuk ka pasë trajtim dinjitoz të memorialeve në Kosovë duke e parë që është treguar përkushtim i vogël për vlerat tona historike gjë që është detyrë e këtij agjensioni, me planifikimin e tij është treguar që ky trajtim ka qenë jo dinjitoz dhe nuk është në mbështetje të vlerave që ka ky kompleks memorial”.