Sipas BB-së, Shqipëria ka ekonomi të sëmurë

Përtej optimizmit për ringritjen e ekonomisë, një raport i fundit i Bankës Botërore tregon se kriza e ka shndërruar Shqipërinë në ekonominë më problematike të rajonit.

Lajme

28/05/2014 20:07

Raporti krahason një sërë treguesish që masin shëndetin ekonomik dhe atë financiar në vendet e Europës Juglindore. Sipas Bankës, Shqipëria rezulton me pozicionin më të përkeqësuar thuajse tek të gjithë treguesit, raporton TCH.

Dekadën e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkan. Por, situata filloi të përmbysej dy vjet më parë, kur ekonomia u zhyt në një valë të dytë ngadalësimi. Fillimisht, në 2012, rritja u tkurr në 1.3 për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo zbriti në  0.44 për qind.

Kjo ishte shifra më e ulët në rajon e rritjes së prodhimit. Sipas Bankës Botërore, tendenca do të vazhdojë edhe në 2014-n, por edhe vitin e ardhshëm, kur ekonomia do të rritet më ngadalë se shumica e vendeve fqinje.

Vlerësohet se Shqipëria ka pozicion më të përkeqësuar se ekonomitë e ngjashme edhe në sektorin financiar.

Borxhi i qeverisë shqiptare ka qenë historikisht më i larti ndër ekonomitë në zhvillim. Por, gjatë viteve të krizës ai u rrit me ritme shpërthyese, plot 20 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar krahasuar me 2007-n, një pjesë e të cilit në mënyrë të fshehtë nga qeveria e kaluar.

Por, veç financave publike, kriza e ka infektuar sektorin financiar edhe në pjesën private. Sipas Bankës Botërore, niveli i kredive të këqija në Shqipëri është më i larti, jo vetëm në rajon por shumë më gjerë dhe krahasohet me vende si Irlanda apo Greqia, që gati kaluan në kolaps financiar.

Përballë kësaj situate të rënduar, Fondi Monetar dhe Banka Botërore kanë propozuar një sërë masash për të rregulluar ekonominë e tronditur fort nga kriza dhe keqmenaxhimi.

Por, a do të mjaftojnë ato për ta rikthyer Shqipërinë sërish në ekonominë me rritje më të shpejtë dhe më dinamike të rajonit? Kjo mbetet për t’u parë. Nëse jo, fatura është e lartë pasi pa rritje më të shpejtë Shqipëria mbetet, ashtu si tani, vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë.

/Top Channel/